TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Është shtyrë për në 13 tetor seanca gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarabër Malltezi, Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
Kjo pasi Prokurori i SPAK, Arben Kraja kërkoi kohë të shprehet mbi pretendimet e avokatëve të të pandehurve që kërkuan pavlefshmëri të akteve dhe provave të paraqitura nga organi i akuzës.
Sokol Hazizaj, avokati i Fatmir Bektashit dhe përfaqësues ligjor i kompanisë “Homeplan” tha se kërkon pavlefshmëri të akteve.
“Ky proces ka dy shtylla, një shtyllë është e karakterit politik duke qenë se kallëzimi është bërë nga një subjekt politik dhe është kallëzuar po një subjekt politik. Duke qenë se unë përfaqësoj “Homeplan” unë kërkoj pavlefshmëri të akteve. Të gjitha provat kërkoj të konsiderohen të pavlefshme, si dhe procesverbalet për sekuestrimin e materialeve dhe kompjuterit në studio Pustina. Kërkoj pavlefshmëri për disa nga akt ekspertimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme”, tha Hazizaj.
Për Fatmir Bektashin avokati Sokol Hazizaj u shpreh se nuk është bërë identifikimi i provave, ndryshe nga “Homeplan”.
“Të njëjtat prova janë instaluar edhe ndaj Bektashit dhe ndaj Homeplan. Nëse gjykata i pranon këto dokumente, atëherë i bie që të pandehur të jenë të gjithë ata që kanë blerë prona të “Homeplan”. Si mund te çmohen prova kur nuk janë ndarë për secilin subjekt dhe kur nuk janë individualizuar. Ky lloj teatri ka tre komponentë.
E kuptoj rolin e gjykatës për t’i dhënë solemnitetin e të gjykuarit si dhe rolin e prokurorisë për ti dhënë vetes një rol serioz, por nuk kam kuptuar asnjëherë, reshtin e të pandehurve, për shembull Fatmir Bektashin edhe si subjekt edhe si Homeplan. Kërkoj nga gjykata vlerësim serioz në kuptimin e papërdorshmërisë dhe papërdorshmerisë të të gjitha provave”, shtoi më tej Hazizaj.
Edhe avokatja e Andia Pustinës, Klodjana Gjyzari kërkoi pavlefshmëri, pasi sipas saj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se është cenuar privatësia në ushtrimin e kontrolleve në zyrën “Pustina”.
“Ne kërkojmë pavlefshmërinë e sekuestrimit të disa sendeve nga ana e Prokurorisë së Posaçme, pasi policia gjyqësore ka ushtruar kontroll pa vendim gjykate”, u shpreh ajo.
Në seancën e kaluar, mbrojtësit e Berishës dhe Malltezit kërkuan pavlefshmëri absolute të hetimeve dhe të të gjitha akteve procedurale të SPAK, duke argumentuar se Prokuroria ka tejkaluar kompetencat e saj duke vepruar si gjyqtar dhe duke zëvendësuar institucionet e tjera si Kuvendi dhe Gjykata Kushtetuese.
Avokatët argumentuan gjithashtu për paligjshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka, e cila sipas tyre ka vazhduar detyrën në kundërshtim me ligjin. Ky ishte edhe një nga shqetësimet kryesore të ish-kryeministrit Berisha, i cili u paraqit seancën e kaluar në gjykatë në zbatim të masës së sigurisë.