AKTUALITET, 14 Dhjetor 2021, 13:04

A e dinte Koka se do të arrestohej? Si hoqi dorë papritur ish ministri, nga mandati i deputetit

A e dinte Koka se do të arrestohej? Si hoqi dorë papritur ish

Lefter Koka, ish ministri i arrestuar nga SPAK, si person i përfshirë në aferën e inceneratorëve, duket se ka qenë i informuar, apo të paktën e ka ndjerë, se një furtunë po vinte drejt tij. 

Pas zgjedhjeve të 25 prillit, ku ai kandidoi nën logon e Partisë Socialiste dhe u konsiderua një aset i rëndësishëm i kësaj force politike në qarkun e Durrësit, Koka hoqi dorë në mënyrë të beftë nga mandati. 

Në 1 shtator 2021, pak para fillimit të legjislaturës së re, Koka njoftoi se do të linte politikën. 

Lefter Koka luftoi shumë për mandatin e tij në Durrës dhe pati përplasje të ashpra me LSI-në, ish partinë ku militonte, ndaj në pamje të parë dorëheqja e tij nuk bënte kuptim. 

Për më tepër, në shpjegimin e tij se përse po e linte mandatin, Koka shprehej se po largohej "për të mbyllur një cikël", deklaratë që nuk kishte kuptim pasi ciklin e tij në politikë mund ta kishte mbyllur pa kandiduar dhe pa "luftuar" për mandatin. 

Me sa duket, Koka diçka ka ditur për çfarë do të vinte pas. 

Sot, Lefter Koka akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, pastrim parash dhe korrupsion.

Deklarata e dorëheqjes së Lefter Kokës nga mandati i deputetit në 1 shtator 2021: 

Dy dekada më parë me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë.

Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.

Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.

Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me rradhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falenderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!

Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.

Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!

Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.