AKTUALITET, 20 Qershor 2025, 10:00

'11 Maji'/ Boçi akuzon PS: Fitojnë anonimët me 20 mijë vota! U deformua vullneti i shqiptarëve! Demokracia në rrezik

'11 Maji'/ Boçi akuzon PS: Fitojnë anonimët me 20

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, i ftuar në emisionin “Log” në News24, ka ngritur akuza të rënda ndaj procesit zgjedhor të 11 Majit, duke deklaruar se ai është deformuar thellësisht nga një “industri e organizuar e grabitjes së votës”.

Sipas Boçit, në Shqipëri nuk funksionon më një sistem demokratik zgjedhor, pasi çdo mekanizëm institucional është vënë në shërbim të partisë në pushtet.

Ai theksoi se sistemi aktual nuk lejon as partitë e reja, as opozitën të përfaqësohen realisht, duke paralajmëruar se rezultati i shpallur nuk pasqyron vullnetin e qytetarëve.

Boçi vuri në dyshim edhe disa nga kandidatët fitues duke përmendur me emra se si janë favorizuar individë të caktuar.

“Meqë PD qenka në këtë situatë, pse nuk i morën votat këto partitë e reja? Sepse industria e grabitjes së votës nuk i lë të marrin atë që u takon. Shteti është në një anë.

Si ka mundësi që deputetë anonimë kalojnë në vota figura të njohura të jetës publike? Arjan Ndoja është një prokuror me 25 vite eksperiencë dhe i njohur për publikun. Ai tjetri mori gati 20 mijë vota. Nuk krahasohet dot me një emër të panjohur.”-tha Boçi.

Sipas tij, faktet për manipulimin e votës janë bërë publike nga Sali Berisha, dhe ato dëshmojnë ndërtimin e një sistemi të organizuar për të deformuar vullnetin e qytetarëve.