AKTUALITET, 2 Mars 2018, 13:12

Ahmetaj flet për ndërtimet dhe për uljen e papunësisë, shifrat sipas qeverisë

Ahmetaj flet për ndërtimet dhe për uljen e papunësisë,

Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj, sot është ndalur tek sektori i ndërtimit, që sipas tij, i atribuohet rritjes së huave për ndërtim. Përmes një deklarate për mediat, ai tha se ekonomia është në një trajektore rritëse të qëndrueshme dhe se janë rritur huatë për ndërtim.

“Ekonomia është në një trajektore rritëse të qëndrueshme. Janë rritur huatë për ndërtim, si përgjigje e pyetjes se ku dalin paratë për ndërtim.

Kjo rrëzon qëndrimet politike, apo emocionale të çdokujt. Kjo është një e dhënë shumë e rëndësishme, për të kuptuar se nga vjen rritja e sektorit të ndërtimit”, ka thënë ministri.

Ndër të tjera, ai tregoi se huaja për pasuritë e paluajtshme është rritur me 6 %.

“ Do t’ju lutesha të shihnit lejet e Bashkisë së Tiranës në vite. 24.9 mld në 2014 dhe 24.79 mld në 2017. Ky është një tregues shumë i rëndësishëm”.

Një tjetër sukses është edhe trendi i uljes së papunësisë, një çështje të cilën Ahmetaj e trajtoi.

“Punësimi u rrit në 2017, krahasuar me 2014 ka ulje prej 4 % papunësia, gati rritje prej po 4 % të pjesëmarrjes në forcat e punës. Në mandatin e dytë të qeverisë Rama, papunësia po shkon drejt shifrës një shifrore”.

Kreu i financave shqiptare tha më tej se kredia për sektorin privat shënoi rritje. Kreditë me probleme patën rënie, sipas tij.

“ Rënie nga 24 % në mars 2014,  në 13.2 % në dhjetor 2017 të stokut të kredive të këqija”, tha ministri.