AKTUALITET, 28 Qershor 2019, 12:17

30 qershori, Delegacioni i BE-së: Qytetarët të votojnë, dhuna e papranueshme


Delegacioni i BE-së në Shqipëri, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet lokale në vend. Ky delegacion thotë se në 30 qershor qytetarët duhet të votojnë dhe të kenë të drejtën të zgjedhin paqësisht.

“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre, ta bëjnë këtë në mënyrë të rregullt. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë, janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane”, – thuhet në deklaratë.

Deklarata e plotë:

Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore.

Duke pasur parasysh votimin që do të bëhet më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që operacionet e votimit të mos pengohen.

Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e qetë dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhet të mbahen këtë fundjavë.

Çdo veprim i dhunshëm ose ndonjë formë nxitjeje për dhunën është absolutisht e papranueshme në asnjë rrethanë. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën nxitëse. Procesi i votimit do të monitorohet nga një mision ndërkombëtar i udhëhequr nga OSBE / ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë sa më shpejt që të jetë e mundur për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që të përqendrohen përpjekjet e tyre në ruajtjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformës ne rrugën e saj të integrimit në BE.