BOTA, 6 Prill 2018, 10:51

24 vite burg, dënohet për korrupsion ish-presidentja e Koresë së Jugut

24 vite burg, dënohet për korrupsion ish-presidentja e Koresë

Ish-presidentja e Koresë së Jugut, Park Geun-hye është dënuar me 24 vite burgim, pasi u shpall fajtore për “abuzim me pushtetin” dhe “detyrim me forcë”.

Vendimi u shpall gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë dhe është kulmi i skandalit që tronditi vendin dhe  që shkaktoi një zemërim të tejskajshëm kundër elitave politike e të biznesit.

Park, e cila u gjobit edhe me rreth 17 milionë dollarë u përball me një sërë akuzash për korrupsion.

Ish-udhëheqësja nuk ishte e pranishme në gjykatë gjatë dhënies së vendimit të kësaj të premteje, teksa kishte bojkotuar edhe seancat dëgjimore, duke akuzuar gjykatat se ishin të njëanshme në çështjen e ngritur kundër saj. Ajo ka mohuar çdo akuzë të bërë ndaj saj.

Lëvizja e fundit e autoriteteve gjyqësore në Kore, për lejimin e dhënies së vendimit përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, ishte e paprecedentë, por në këtë rast ato u justifikuan me interesin e jashtëzakonshëm publik mbi këtë çështje.

Përse dënohet:

Park u shpall fajtore  për 16 nga 18 akuza, shumica e të cilave kanë të bëjnë me ryshfetin dhe detyrimin me forcë.

Park u gjet fajtore për bashkëpunim me një mikeshën e saj të afërt, Choi Soon-sil, duke iu ushtruar presion firmave të mëdha të biznesit për ryshfete në këmbim të favoreve politike.

Ajo gjithashtu u dënua se kishte detyruar kompanitë të nënshkruajnë marrëveshje fitimprurëse me firmat në pronësi të Choi dhe për t’i dhuruar as dhe vajzës së saj dhurata.

Përveç kësaj, Park u shpall fajtore për rrjedhjen e dokumenteve konfidenciale presidenciale tek mikesha e saj Choi.