TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në zyrat e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, u mbajt ditën e sotme seanca e radhës e dhurimit të gjakut në kuadër të nismës së ndërmarrë nga Presidenti Meta, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”.
Presidenti, në fjalën e tij gjatë seancës së sotme, vlerësoi solidaritetin e KMSH, Kryetarit Haxhi Bujar Spahiu, të drejtuesve të tjerë fetarë e shpirtërorë, si edhe të dhjetëra besimtarëve myslimanë shqiptarë, që iu përgjigjën sot, jo për të parën herë, thirrjes për të dhuruar gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe të sëmurëve, të cilët kanë nevojë jetike për gjak.
“Falenderoj nga zemra Komunitetin Mysliman të Shqipërisë dhe të gjithë besimtarët myslimanë, të cilët me vullnetarizëm u solidarizuan sot me kauzën humane të dhurimit të gjakut, duke organizuar në Tiranë, jo për herë të parë, një seancë dhurimi në ndihmë të fëmijëve talasemikë dhe kujdo, që ka nevojë jetike për të.
Mbështetja dhe ndihma për më të pamundurin, më të dobëtin, më të pafuqishmin janë pjesë e filozofisë dhe e edukimit të të gjitha besimeve tona fetare.
Dhurimi i gjakut nga besimtarët e islamit në kryeqytet është një nga shembujt më të mirë dhe frymëzues, sesi këto mësime, vihen konkretisht në zbatim në jetë, duke i shërbyer komunitetit dhe të gjithë atyre që kanë nevojë.
I lumtur të mësoja nga kryetari i KMSH-së, Bujar Spahiu se seanca e sotme do të ndiqet në vazhdim me të tjera seanca dhurimi gjaku në xhami të ndryshme të Tiranës dhe qytete të tjera të vendit.
Mirënjohje besimtarëve myslimanë për solidaritetin e dëshmuar! Zoti t’ua shpërblejë me bekime në jetë dhe në familjet e tyre!”, – u shpreh Presidenti Meta.