TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Timo Verner më i fortë sesa fati i keq dhe … VAR-i. Sulmuesi gjerman nuk ka pasur një jetë të lehtë që kur është transferuar te Çelsi.
Për ish-yllin e Lajpcigut, i cili u transferua në “Stamford Bridge” verën e vitit 2020, gjithçka nisi shkëlqyeshëm, me 8 gola në 11 ndeshjet e para me blutë. Pastaj diçka nuk shkoi. Vetëm katër gola të tjerë deri në fund të sezonit të shkuar dhe në total 15 të anuluar nga anësori për pozicion jashtë loje ose VAR-i.
I PAFAT – Është e kuptueshme që sezoni i parë i 25-vjeçarit në “Stamford Bridge” ishte i pafat. Dhe për më tepër, këtë sezon Tomas Tuhel kërkoi një tjetër sulmues dhe transferoi Romelu Lukakun, i cili është i aftë për të krijuar hapësira dhe punuar për skuadrën. Fillimisht, Verneri tha se afrimi i belgut do ta ndihmonte lojën e tij, por nisja e sezonit tregoi të njëjtën fytyrë deri të shtunën në ndeshjen kundër Sauthemptonit.
Pak përpara pushimit, gjermani u koordinua saktë pas një krosimi të Hadson-Odoit, por pastaj ndërhyri VAR-i, ashtu siç ka bërë shpesh këtë sezon duke ia mohuar golin. Verneri mund të ketë plot defekte, por vendosmëria është diçka e cila nuk i mungon. Ai bëri kilometra pa fund në fushë deri 5 minuta nga fundi, kur krosimin e Azpilikuetës e dërgoi në rrjetë. Gol edhe për VAR-in.
Ishte goli i parë për gjermanin në Premier Ligë që prej muajit shkurt. Katër minuta më vonë, Çiluell do të shënonte edhe golin e tretë, ndërkohë që Çalobah dhe Prouzi me penallti ishin autorët e golave të tjerë. Verneri pranon se dalja e Prouzit me karton të kuq e ndihmoi skuadrën e tij të fitonte:
“Jam shumë i lumtur që shënova dhe e ndihmova skuadrën. Në pjesën e parë ishte historia e gjithë karrierës sime te Çelsi. Nuk ishte një vendim shumë i qartë dhe arbitrit iu desh pak kohë për të vendosur. Ishte ndoshta 50-50. Duhet ta pranojmë. Por në fund jam i lumtur që shënova sërish dhe fituam. Dalja e Prouzit me të kuqe na ndihmoi”, tha Verneri.