TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Në Hong Kong me qindra vetë manifestuan sot (të mërkurën) përpara shkollës së një protestuesi 18 vjeçar i cili u qëllua me armë zjarri nga policia gjatë protestave të dhunshme kundër Pekinit që u zhvilluan një ditë më parë (të martën).
Pamjet filmike tregojnë momentin kur polici e qëllon 18-vjeçarin në gjoks, ndërsa ai po përgatitej ta gjuante me një shufër metalike. Ngjarja shënon herën e parë që policia e Hong Kongut përdor plumba të vërtetë që nga fillimi i demostratave në muajin qershor.
Shefi i policisë së Hong Kongut, Stephen Lo tha se oficeri ishte i justifikuar në përdorimin e armës sepse ndihej i frikësuar për jetën. Policia hodhi gaz lotsjellës e ujë në drejtim të protestuesve, të cilët hodhën mjete plasëse të bëra vetë si dhe u vunë zjarrin disa pikave kryesore të qytetit.
Sipas njoftimeve gjendja e studentit të plagosur është e qëndrueshme dhe ai ndodhet në një spital të Hong Kongut. Protestuesit të cilët u mblodhën jashtë shkollës së tij të mërkurën mbanin pankarta e foto të incidentit.
Përplasjet e dhunshme të së martës mes protestuesve pro-demokracisë dhe forcave të sigurisë së Hong Kongut, zbehën festimet në Pekin me rastin e 70 vjetorit të sundimit të Partisë Komuniste. Protestat katër-mujore të nxitura nga një projektligj që nëse miratohej do të mundësonte ekstradimet në Kinë, janë një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj kontrollit gjithnjë e më shtrëngues të Pekinit ndaj qytetit autonom. /Voa/