TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Sot shënohen 10 vjet nga vrasja e ish-deputetit socialist, Fatmir Xhindi, në oborrin e shtëpisë në Roskovec. Në ceremoninë përkujtimore kanë qenë të pranishëm kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, kreu i grupit parlamentar Taulant Balla, deputetë të maxhorancës e përfaqësues lokalë. Drejtësia e re do të zbardhë vrasjen e Xhindit, deklaroi Balla nga kjo ceremoni.
“Ne nuk e kemi harruar detyrën që ka lënë pas largimi i Fatmir Xhindit. Jemi të keqardhur që institucionet e asaj kohe nuk reaguan për ta zbardhur çështjen. I bashkohem thirrjes së Andiel Xhindit. Drejtësia e re që po lind do të zbardhë këtë çështje dhe kushdo që guxoi të ngrinte dorë mbi deputetin e Partisë Socialiste do të marrë dënimin e duhur”, tha ai.
Anduel Xhindi i cili është deputet i PS-së në Kuvendin e Shqipërisë përsëriti të njëjtin apel, ashtu si përgjatë 10 viteve me radhë, të gjenden autorët e vrasjes së babait të tij. “U bënë 10 vjet nga ndarja nga jeta e babait tim dhe drejtësia nuk e ka thënë fjalën e saj. Na mundon pyetja kush e vrau dhe pse e vrau Fatmirin?! Iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen që shpirti i tij të jetë në paqe dhe ne të jemi të qetë”, tha Anduel Xhindi.
Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, iu bëri thirrje institucioneve për të vënë përpara drejtësisë atë që i mori jetën Fatmir Xhindit. Zëvendës ministri i Mbrojtjes Petro Koçi tha se “janë 10 vite pa Fatmirin por ne e kemi pasur pranë gjithmonë”. “Fatmir Xhindi do të mbetet gjithmonë i paharruar”.