TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Prej disa ditësh në Podgoricë të Malit të Zi po zhvillohet protesta kundër presidentit Milo Gjukanoviç, i përfshirë së fundmi në akuza të tjera korruptive. Rreth 10 mijë persona raportohet se kanë protestuar kundër presidentit Gjukanoviç, duke i kërkuar dorëheqjen dhe largimin nga politika.
Milo Gjukanoviç është prej 30 vitesh në pushtet në shtetin fqinj, duke thyer edhe rekordet e presidentëve të Bjellorusisë dhe Rusisë, si lideri më jetëgjatë në Evropë.
Shkak për protestat janë bërë disa deklarime të një oligarku të fuqishëm malazez, Dusko Knezevic, i cili prej dekadash ka qenë mik i ngushtë i presidentit.
Por tani që prokuroria ka nisur hetimet për pastrim parash ndaj Knezevic, ai ka nisur të publikojë të dhëna për përfshirjen e Gjukanoviçit në afera korruptive, pasi e akuzon se po sponsorizon hetimet.
Për këtë situatë ka reaguar edhe ish-ambasadori i Britanisë së Madhe në ish-Jugosllavi, Ivor Roberts, i cili në një artikull të publikuar në ‘Politico.eu’ thotë se tani “është koha që të largohet sundimtari më jetëgjatë në Evropë.”
Ky qëndrim i diplomatit britanik shihet si presion gjithnjë e në rritje i Evropës ndaj Podgoricës zyrtare. Mali i Zi po zhvillon negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe sipas gjasave do të jetë shteti i parë i Ballkanit Perëndimor që do i bashkohet unionit. Por anëtarësimi në BE kërkon që në krye të punëve në shtetin me 650 mijë banorë të jenë liderë me profil ndryshe nga ai i Gjukanoviçit.
Sa i përket akuzave, biznesmeni Dusko Knezevic pretendon gjithashtu se Milo Gjukanoviç është pronar i një vile që kushton 10 milionë dollarë. Presidenti malazez i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet.