AKTUALITET, 23 Shkurt 2019, 10:03

Beteja për ajrin, destinacionet kryesore ku fluturojnë shqiptarët

Beteja për ajrin, destinacionet kryesore ku fluturojnë shqiptarët

Gara për ajrin është ashpërsuar në vitin 2018. Italia vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut. Rritje të ndjeshme shënuan charter-at, të nxitur nga kthimi i Shqipërisë në destinacion të preferuar turistik dhe Londra e Budapesti, nga hyrja e linjave low cost…

Aeroporti i Rinasit po bëhet gjithnjë e më i zënë, teksa më shumë shqiptarë po udhëtojnë dhe të huajt që po vijnë për të kaluar pushimet në vend shtohen. Në 2018-n, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.

Rreth 7% më shumë shqiptarë udhëtuan nga dhe drejt Rinasit në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas shifrave të INSTAT.

Por, lulëzim të vërtetë shënuan të huajt, trafiku i të cilëve në hyrje e dalje u rrit me 27%, pas zgjerimit me 29% të vitit të mëparshëm, duke e bërë periudhën 2017-2018 më të mirën në historinë e pas tranzicionit për ardhjen e turistëve.

Fluksi i pasagjerëve me charter u rrit me 64% në 2018-n, ku ndikimin kryesor e dhanë linjat nga Polonia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Çekia, Suedia, teksa agjencitë turistike në bashkëpunim me ato shqiptare sollën turistë në hotelet shqiptare, kryesisht në bregdetin e Durrësit, duke futur për herë të parë në mënyrë masive konceptin e “all inclusive” ose “half board”.

Gjithsesi, Italia, ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve. /Monitor