AKTUALITET, 23 Shkurt 2019, 08:53

378 kosovarë aplikuan për lënien e shtetësisë në janar

378 kosovarë aplikuan për lënien e shtetësisë në

Shumë qytetarë të Kosovës po kërkojnë që të heqin dorë nga shtetësia e tyre. Vetëm në vitin që lamë pas, 5 mijë qytetarë hoqën dorë nga shtetësia kosovare.

Arsye e këtij fenomeni, po thuhet të jetë edhe vonesa në liberalizimin e vizave, që do t’u siguronte qytetarëve të Kosovës lëvizjen e lirë në zonën Schengen.

E kërkesat për lënien e shtetësisë së Kosovës nuk po ndalen as këtë vit. Në një përgjigje për lajmi.net nga ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, është bërë e ditur se vetëm gjatë muajit janar janë deponuar 378 kërkesa për lirim nga shtetësia kosovare.

E sipas statistikave të MPB-së, gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti, asnjë qytetar nuk aplikoi për fitimin e shtetësisë kosovare. Rëndom kërkesat më të shpeshta për lënien e shtetësisë kosovare vijnë nga personat që tashmë jetojnë dhe janë integruar në shtetin gjerman.

Arsyet e kësaj dukurie lidhen me atë se ky Gjermania nuk e njeh dyshtetësinë e qytetarëve të tyre. Ndërkohë, Franca dhe Zvicra nuk e detyrojnë lirimin nga shtetësia.

Kryesisht kërkesa për lënien e shtetësisë së Kosovës kanë deponuar personat në moshë më të re.

Theksojmë se Republika e Kosovës qytetarëve të saj u lejojnë të mbajnë më tepër se dy shtetësi, ndërkaq që ajo e Shqipërisë këtë numër e ka kufizuar në dy.