AKTUALITET, 3 Gusht 2021, 19:59

Zjarri në Gjirokastër, dërgohet i asfiksuar në spital një ushtar i Forcave të Armatosura

Zjarri në Gjirokastër, dërgohet i asfiksuar në spital

Një ushtar i forcave të armatosura është dërguar me urgjencë për të marrë ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, pasi u asfiksua nga tymi gjatë shuarjes së flakëve që kanë përfshirë zonën e Lunxhërisë.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Krinë, Njësia Administrative Antigone, Bashkia Gjirokastër.

Gjendja e ushtarit paraqitet e rëndë, ndërkohë gruaja e të ndjerit Andrea Haxhiaj që humbi jetën të martën si pasojë e flakëve në fshatin Azim Zeneli është transportuar me urgjencë për në kryeqytet për ndërhyrje të specializuar.

Në fshatrat e Gjirokastrës, Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lëngo situata e flakëve është e vështirë.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se të gjitha forcat e ushtrisë dhe mjetet për fikjen e zjarreve janë përqendruar në këtë zone, ndërsa u bëri thirrje banorëve të largohen nga shtëpitë e tyre.

Në ditën e 8-të, vatra e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit përparoi drejt zonave të banuara dhe Parkut të Llogarasë, por në orët e pasdites u arrit që flakët të viheshin nën kontroll.

Siç duket në këto pamje te filmuara këtë të martë flakët, u kthyen në rrezik për banorët e fshatit Dukat. Rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete dhe 3 helikopterë u angazhuan për të vënë nën kontroll situatën.

Në terren ishte edhe kreu i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, i cili tha se po kërkohet ndihmë nga jashtë.

Vatra aktive ka pasur gjatë ditës edhe në Cukal të Vaut të Dejës. Gjatë natës se kaluar u vu nën kontroll zjarri në fshatin Palokastër të Gjirokastrës, i cili dogji disa hektarë kullota.