AKTUALITET, 6 September 2026, 14:25

Zjarri i madh në Çërrilë të Mallakastrës djeg pisha, ullishte dhe shkurre, era favorizon përhapjen

Një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha, ullishte dhe shkurre është përfshirë nga flakët mesditën e kësaj të diele në zonën e Çërrilës, në Mallakastër.

Zjarri ka përfshirë një zonë pyjore, ndërsa era e fortë po favorizon përhapjen e flakëve, duke vështirësuar më tej ndërhyrjen për neutralizimin e tyre.

Në vendngjarje ndodhen mjetet zjarrfikëse të Mallakastrës, efektivë të Policisë si dhe banorë të zonës, të cilët janë angazhuar në përpjekjet për shuarjen dhe izolimin e zjarrit.

Ndërhyrja po kryhet në kushte të vështira për shkak të terrenit të thyer, i cili vështirëson lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse dhe punën e forcave në terren.

Sipas informacionit paraprak, zjarri ndodhet larg zonës së banuar dhe deri në këto momente nuk raportohet për rrezik të drejtpërdrejtë ndaj banesave. Prioritet mbetet frenimi i përhapjes së flakëve drejt sipërfaqeve të tjera me bimësi.

Shkaku i rënies së zjarrit ende nuk është bërë i ditur.