TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama ka qenë pasditen e sotme në Himarë, në zonën e prekur nga zjarri gjatë natës së kaluar, ku ka parë nga afër situatën dhe dëmet e shkaktuara nga flakët, ndërsa është njohur me angazhimin e strukturave në terren.
Gjatë vizitës, Rama ka takuar dhe falënderuar efektivët e Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, shërbimeve zjarrfikëse, si dhe të gjitha strukturat e angazhuara për përballimin e situatës dhe mbrojtjen e jetës së banorëve dhe pronës së tyre.
Në 24 orët e fundit, në terren janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura. Operacioni është mbështetur gjithashtu nga helikopterët dhe avioni “Air Tractor”, i cili ka ndërhyrë gjatë ditës së sotme për shuarjen e flakëve.
Në kuadër të vizitës, kryeministri ka takuar edhe banorët e zonës. Bashkë me të kanë qenë ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministri i Brendshëm, Albano Lamallari, dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Hita.
Për banorët e prekur nga zjarri, Bashkia e Himarës do të vijojë procesin e identifikimit dhe vlerësimit të dëmeve të shkaktuara nga flakët.
Në përfundim të vizitës, Rama ka publikuar një video nga zona e prekur nga zjarri, të cilën e ka shoqëruar me mesazhin:
“Çfarë s’na vret na bën më të fortë!”