TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci bëri sot të ditur se për shuarjen e zjarrit në fshatrat Bardhaj dhe Myselim po ndërhyhet edhe nga ajri me helikopter, ndërsa ka një angazhim maksimal të të gjitha forcave në terren.
Beci informoi se për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer, flakët kanë marrë përhapje të konsiderueshme.
Sipas tij, në operacion janë angazhuar 6 mjete zjarrfikëse të Bashkisë Shkodër me efektivët përkatës, 1 bot uji i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimi Pyjor dhe përfaqësuesit e njësive administrative Rrethina e Postribë.
Falë ndërhyrjes së forcave, deri tani janë mbrojtur 15 banesa dhe është shmangur rreziku për familjet e zonës.
“Operacioni vijon edhe me mbështetjen e një mjeti zjarrfikës të Repartit RKV 1010 Vau i Dejës, në koordinim me Prefekturën e Qarkut Shkodër dhe AKMC-në”, tha Beci.
Kryebashkiaku i Shkodrës theksoi se prioritet është mbrojtja e jetës, banesave dhe pronës së qytetarëve, ndërsa siguroi se të gjitha strukturat do të qëndrojnë në terren me angazhim maksimal deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të çdo vatre.