TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç vazhdon të merret çdo ditë me Kosovën. Në tubimin e sotëm “E ardhmja e Serbisë” të mbajtur në Smederevë, ai ka thënë se Serbia e ka një problem serioz.
“Problemi serioz janë politikanët joserioz shqiptarë. Ata deshën të na thonë se Beogradi nuk pyetet për asgjë, mirëpo ata nuk e kanë përmbushur asnjë obligim që kanë, e vendosën edhe taksën. Këtë po munden ta bëjnë sepse e kanë mbështetjen e fuqive të mëdha”, deklaroi ai.
“Më pas e miratuan njëfarë platformë për të cilën thanë se duhet të pajtohemi, kurse tani përgatitën një truk tjetër. Tani doli ministri Pacolli dhe tha tash duhet të takohen ekipet tona negociatore.
Që të vazhdojmë, sigurisht e kanë menduar që kjo të bëhet me kushtin e platformës së tyre, të pranojmë që gjithçka është e tyre, që Kosova është shtet i pavarur në të cilën duhet të formohet Gjykata Speciale ku do të përgjigjeshin serbët për krimet e luftës, dhunimin e shqiptareve, që të formohet komision i veçantë i cili do të thotë se Serbia duhet të paguaj kaq për dëmin e luftës”, u shpreh Vuçiç.
Sipas tij, Serbia asnjëherë nuk iu ka ikur bisedimeve, “por që të na poshtëroni dhe të bëni ne budallenj, këtë film nuk do ta shihni”.
“Njerëz, mos u merakosni. Dje e kam përdorur një fjalë serbe, kurse sot iu them atyre (shqiptarëve) – kot jeni munduar, nuk do ta shihni atë film”, tregoi Vuçiç.
Më tej ai ka thënë se Kosova nuk ka përmbushur “asnjë obligim nga Marrëveshja e Brukselit, sepse kanë mbështetjen e fuqive të mëdha”.
Ai iu është drejtuar edhe serbëve të Kosovës me një ton dhe gjuhë kërcënuese për Kosovën.
“Serbia është mjaftueshme e fuqishme që të mbrojë secilin fëmijë dhe secilin njeri. Serbia nuk është më e dobët siç ka qenë në vitin 2004 kur u ushtrua dhunë ndaj juve, si dhe në vitin 2008 kur e shpallën pavarësinë, nuk është e pikëlluar dhe e dobët sikur kur kërkuam vendimin katastrofal të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Është mjaftueshme e fuqishme dhe këtë të gjithë nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga Kosova duhet ta kenë parasysh”, deklaroi Vuçiç.