AKTUALITET, 1 Tetor 2019, 09:11

Vrasja në Lushnje, Policia: Dy persona e qëlluan me armë teksa 35 vjeçari pinte kafe


Qyteti i Lushnjës është tronditur mëngjesin e sotëm nga një vrasje me armë zjarri. Besmir (Besi) Hida, i moshës 35 vjeç, është qëlluar me breshëri kallashnikovi e për pasojë ka humbur jetën.

Viktima mësohet se është ekzekutuar në një lokal, i cili ndodhej në katin e dytë, teksa ishte duke pirë kafe.

Autori i vrasjes ka qenë i maskuar, është ngjitur në lokalin ku ka ndodhur ngjarja, në katin e dytë dhe nga një distancë e afërt ka qëlluar Hidën me breshëri kallashnikovi. Më pas ai është larguar me një automjet nëpër lagje, në rrugicat e qytetit.

Ende nuk dihen shkaqet e vrasjes. Policia ka rrethuar zonën dhe është vënë në ndjekje të autorit. Sa i përket viktimës Besmir Hida, mësohet se ishte grumbullues makinash të përdorura në Lushnjë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Lagjen ‘Skënder Libohova’.

Burime bëjnë me dije se në zonën e “Morrit”, siç njihet në Lushnjë, viktima ka pasur një dyqan.

Në momentin e vrasjes dëshmitarë që kanë qenë aty deklarojnë se të afërmit e viktimës (nipat) ishin të tronditur dhe po largoheshin me të shpejtë nga lagja.

Njoftimi i policisë:

Sot rreth orës 08:15, në një lokal në lagjen “Skënder Libohova” Lushnjë, dy persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me armë zjarri automatike në drejtim të shtetasit B.H, 35 vjeç, i cili ka ndërruar jetë.

Autorët janë larguar nga vendngjarja me një automjet ku në ndjekje të tyre janë vënë shërbimet e Policisë Lushnjë.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në hyrje-dalje të qytetit , në aksin rrugor Lushnjë Tiranë, Lushnjë Fier dhe Lushnjë Berat.

Për zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Lushnjë.

Një grup specialistësh nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit është nisur për t’i ardhur në ndihmë grupit hetimor me qëllim zbardhjen sa më shpejtë të ngjarjes.