AKTUALITET, 30 Shtator 2019, 23:36

Arsenalin e shpëton VAR nga gafa e asistentit, barazim në supersfidën ndaj Junajtid

Arsenalin e shpëton VAR nga gafa e asistentit, barazim në

Ndeshja e fundit e kësaj jave në kampionatin anglez, supersfida e të hënës mes Mançester Junajtid dhe Arsenal, është mbyllur në barazim 1-1, duke mos ndryshuar shumë pozitat në klasifikim të dy ekipeve që po vuajnë në këto javë të para të sezonit.

Ka qenë një ndeshje shumë e luftuar, me raste në të dy portat. Të parët ishin vendasit e Mançester Junajtid që kaluan në avantazh me anë të MekTominei, i cili shënoi me një predhë nga jashtë zonës duke mos i lënë kohë Leno të reagonte.

Por në pjesën e dytë barazimi erdhi falë Aubamejang, falë edhe ndihmës së VAR. Kjo pasi vijërojtësi bëri një gafë të çuditshme duke e cilësuar në pozicion jashtë loje sulmuesin. Fatmirësisht ishte VAR që korrigjoi gjithçka duke akorduar golin e barazimit që rezistoi deri në fundin e sfidës.

Arsenali tani barazon Uest Hem në vendin e katërt në renditje me 12 pikë, kurse Mançester Junajtid Bërnlin në vendin e 10 të renditjes me 9 pikë.