AKTUALITET, 26 Dhjetor 2018, 17:40

VIDEO/ Juventusit i duhet patjetër Ronaldo për t’i shënuar Berishës, Lacio triumfon në Bolonja

Ka përfunduar në barazim 2-2 ndeshjes mes Atalantës dhe Juventusit, e vlefshme për javën e 18-të të Serisë A. Ndeshja nisi keq për bergamaskët, teksa mbrojtësi Berat Gjimshiti shkaktoi një autogol pas dy minutash lojë.

Më pas erdhi reagimi i Atalantës, që shënoi dy herë në portën e Juventusit me anë të Duvan Zapatës. Situata u komplikua për kryesuesit e kampionatit, pasi Bentakur mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 53-të. Në këto kushte, trajneri Alegri vendosi të hidhte në fushë Kristiano Ronaldon, të cilin e kishte mbajtur në stol.

[video width="1280" height="720" mp4="https://cdnimpuls.com/tpz.al/wp-content/uploads/2018/12/ron.mp4"][/video]

Dhe 12 minuta para fundit të ndeshjes, ylli portugez mposhti Etrit Berishën, duke shënuar nga afër në zhvillimet e një goditje këndi. Juventusi mban vendin e parë me 50 pikë, ndërsa Atalanta ndodhet në vend të 7-të, pranë zonës së Europa League, me 25 pikë.

Lacio e Tomas Strakoshës ndërkohë ka fituar në fushën e Bolonjës 0-2. Portieri kuqezi e ruajti të paprekur portën në këtë transfertë, që e mban Lacio në zonën Champions, me 31 pikë. Golat u shënuan nga Luiz Felipe dhe Luliç. Trajneri Simone Inzagi mundi vëllanë e tij në stolin e Bolonjës, Pipo Inzagin.

Në ndeshjet e tjera bie në sy humbja e Fiorentinës në fushën e saj, ku u mund 0-1 nga Parma.