AKTUALITET, 29 Gusht 2019, 14:03

VIDEO/ E vetme dhe duke qarë, gjendet vogëlushja në Laprakë, nëna e denoncoi të humbur

VIDEO/ E vetme dhe duke qarë, gjendet vogëlushja në Laprakë,


Një vajzë 6 vjeç ka humbur sot në Tiranë. Vogëlushja është gjetur e vetme duke qarë në rrugë, në zonën mes Zogu të Zi dhe Laprakës.

Ajo është pikasur nga një punonjës i Policisë Rrugore, i cili e ka marrë vogëlushen, i ka dhënë ujë e ushqim dhe është përpjekur të zbulojë adresën e prindërve të saj.

Në momentin që polici ka vënë në dijeni Komisariatin e Policisë Nr. 3, ata i kanë thënë se nëna e vajzës sapo kishte bërë denoncimin për humbjen e së bijës.

Njoftimi i policisë:

Prindërit bënin kallëzim për humbjen e vajzës së tyre, ajo ishte gjetur nga polici rrugor. Punonjësi i Policisë Rrugore, duke kryer shërbim në aksin Zogu i zi – Laprakë, ka vënë re një vajzë të vogël, e cila ishte e vetme në rrugë dhe po qante.

Punonjësi i Policisë Rrugore e ka marrë vajzën 6-vjeçare dhe i ka ofruar ujë e ushqim dhe është përpjekur të mësojë adresën e prindërve duke njoftuar edhe Komisariatin e Policisë Nr. 3, Tiranë.

Patrulla e Policisë së Komisariatit Nr. 3 ka njoftuar kolegun e rrugores se mamaja e vajzës sapo kishte bërë denoncim për humbjen e 6-vjeçares.

Vogëlushja është transportuar me makinën e policisë dhe i është bashkuar prindërve të saj, të cilët kanë falënderuar policinë për gjetjen e saj.