AKTUALITET, 29 Gusht 2019, 13:51

Kodi i MAFIAS goditi Santiagon, telefonata e mistershme që mori para ekzekutimit, e njëjta skemë si me Edison Harizajn

Kodi i MAFIAS goditi Santiagon, telefonata e mistershme që mori para


Dalin detaje nga atentati mafioz ndaj ish-policit Santiago Malko, i cili mbeti i vrarë pasi iu zu pritë dy netë më parë tek “Xhamlliku” në Tiranë.

Burime nga Policia e Shtetit, bëjnë me dije se në kontrollin e ushtruar në makinën tip BMW X5, ku u gjet i vrarë 26-vjeçari, policia nuk ka gjetur asgjë të paligjshme, përveç një shume parash dhe dy celularëve.

Grupi i hetimit, që është ngritur për këtë vrasje po bënë zbardhjen e të gjitha telefonatave hyrëse dhe dalëse nga celulari i Malkos.

Një telefonatë disa orë para atentatit, ende e paidentifikuar është pista kryesore ku është përqendruar hetimi. Policia ka sekuestruar kamerat, ndërkohë që një tjetër person i dyshuar si i përfshirë në ngjarje, është shoqëruar nga blutë e Tiranës.

Skema e ekzekutimit të Santiago Malkos është identike me atë të 7 nëntorit 2018, ku u vra në një atentat me 50 plumba, Edison Harizaj dhe miku i tij, Genti Caca.

Një person e telefonoi 25 sekonda Edison Harizajn vetëm pak minuta se ai të ekzekutohej bashkë me shokun e tij Genci Caca. Edison Harizaj u ekzekutua në 6 nëntor 2018 në Durrës dhe mendohet se në vrasjen e tij morën pjesë 5 persona.

Fillimisht Harizaj u ndoq nga një makinë, ndërsa automjeti tjetër i bëri pritë. Më shumë se 50 plumba u qëlluan në drejtim të makinës së Harizaj, i cili cilësohej si “Il Padrino” i Vlorës.

Malko dyshohet se ka marrë pjesë në atentatin ndaj Harizajt, dhe se vrasja e tij është kryer për hakmarrje. Kjo sjell një tjetër informacion lidhur me mënyrën sesi funksionojnë bandat në Shqipëri. Vrasje e më pas hakmarrje me të njëjtën metodë me të cilën është realizuar vrasja.

Dy netë më parë, ish-polici Santiago Malko u vra me 10 plumba teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip “BMW X5”, kur një furgon me ngjyrë të bardhë i ka zënë pritë e ndërsa dy persona e qëlluan me breshëri kallashnikovi nga një automjet tip “Mercedez Benz”.

Ish-polici për pasojë ka humbur drejtimin e mjetit që është përplasur me murin e një lavazhi. Më pas atentatorët i janë afruar automjetit të Malkos, për të qëlluar ish-efektivin me plumb në kokë, duke e lënë të vdekur në vend. 26-vjeçari” ishte pjesë e bandës së Ervis Martinajt, i njohur ndryshe si “bosi” i lojërave të fatit.

Malko ka qenë i përfshirë në ngjarjen e 4 tetorit të 2018-s, kur në lokal “Monopol”, në ish-bllok, grupi i Ervis Martinajt u përplas me armë zjarri me grupin e Ervin Matës dhe mbeti i vrarë Fabiol Gaxha.