TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Pas Kupës së Shqipërisë, Teuta fiton edhe Superkupën. Durrsakët fituan për herë të parë në historinë e klubit, trofeun e tretë për nga rëndësia në vend, pasi mposhtën në finale, kampionët e Superiores Tiranën, për të dytën herë në harkun e 1-muaji pasi të njëjtën gjë bënë edhe në Kupën e Shqipërisë në datën 2 gusht.
Në Elbasan Arena, skuadra e Edi Martinit triumfoi me rezultatin 2-1, falë një dygolëshi të sulmuesit Rubin Hebaj që në pjesën e parë, ndërsa goli i të riut Jurgen Vrapi në fraksionin e dytë shërbeu thjeshtë për statistika. Përballë një Tirane që mesditën e kësaj të hëne mori lajmin e mirë se do të luajë në play-off të Europa League, pasi shorti vendosi që të kalonte pa luajtur fare turin e tretë kualifikues, Teuta kishte një marsh më shumë që në fillim. Kualifikimi ndaj izraelitëve të Beitar Jerusalem e kishte bërë me “krahë” skuadrën e Edi Martinit që në vitin 100-vjetorit dëshironte një tjetër trofe.
Një gabim i Ilion Likës në kontrollin e topit në minutën e 22-të u shfrytëzua si duhet nga Rubin Hebaj që përfitoi edhe nga pasiguria e shfaqur nga mbrojtja e Tiranës në spastrimin e topit, me sulmuesin që kaloi “djemtë e detit” në epërsi. 60 sekonda më pas Tirana kishte mundësinë e artë për të barazuar por Renato Arapi në dy raste i mohoi golin argjentinasit të bardhebluve. Në minutën e 33-të Teutës iu dha shansi i artë për të dyfishuar shifrat pasi Nadjovski pengoi brenda zone Lorenco Vilën.
Nga pika e bardhë, Ilion Lika ndali goditjen e Rubin Hebajt por topin e kthyer nga portieri i bardhebluve e dërgoi në rrjetë Rubin Hebaj për të dytën herë në këtë sfidë. Në pjesën e dytë Tirana u përpoq të reagonte dhe gjërat u bënë disi më të thjeshta për bardheblutë në minutën e 66-të kur Renato Arapi mori kartonin e dytë të verdhë dhe la skuadrën e Edi Martinit me 10 lojtarë.
Tirana arriti të përfitonte disi nga superioriteti numerik kur në minutën e 75-të talenti Vrapi i ardhur në fushë nga stoli realizoi një gol të bukur, por vetëm kaq për bardheblutë pasi “djemtë e detit” arritën të rezistonin deri në fund, duke e nisur sezonin 2020-2021 me trofe.