AKTUALITET, 25 Dhjetor 2017, 21:59

Veliaj vlerëson Metën: Me të ishte "fair-play", kurse me Kryemadhin është ndryshe

Veliaj vlerëson Metën: Me të ishte "fair-play", kurse

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, duke folur në Top Story për votimin e buxhetit edhe me votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, u shpreh se ky qëndrim ishte për Bashkinë e Tiranës dhe jo për kryetarin.

"Në mbledhjet e para ne e kishim të koordinuar që pavarësisht se çfarë ndodh në politikën e madhe, Tiranës do t’i japim mbështetje. Ajo që ishte habi ishte mosdhënia e votës dhe jo dhënia e votës nga 1,2,3 dhe tani 4 këshilltarë. " - u shpreh Veliaj.

Por Veliaj duket se vlerëson më tepër Ilir Metën si kryetar i LSI dhe jo Monika Kryemadhin.

" Në qoftë se Ilir Meta thoshte “po është po”, në qoftë se thoshte “jo është jo” dhe qëndronte “Po”-ja dhe “Jo”-ja siç ishin thënë në fillim. Ndërkohë fatkeqësisht nuk ka vazhduar kështu dhe me Kryemadhin" - u shpreh Veliaj.

Në emisionin "Të Paekspozuarit", kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi lëshoi akuza të forta në drejtim të Veliajt, duke thënë se po pastronte paratë e pista të Edi Ramës dhe vëllait të tij Olsit.

" Lali Eri ka dal në treg për të ofruar para dhe blen këshilltarë. Kush ka ndërmend të iki le të iki, por gojën e LSI, nuk e blen dot. Le ti japi licensat e taksisë elektrike Endri Fugës dhe Olsi Ramës dhe të japi leje ndërtimi për pastrim parash të drogës." - u shpreh Kryemadhi.

Veliaj ka folur edhe për zgjedhjet e ardhshme për kryetar të Bashkisë së Tiranës, duke deklaruar se koalicionin e ri opozitar do ta ketë përballë.

"Ca gjëra duhen thënë thjesht, por unë naiv nuk jam. Pra unë nuk pres apo nuk e gënjej veten me iluzionin se partitë që shfrytëzonin çdo moment dhe çdo cedim të vogël në Këshill Bashkiak për të më rrëzuar do t’i kem përkrah në fushatë. Unë këtë e kuptoj. Kështu që jam i përgatitur të shkoj në një fushatë me koalicionin opozitar përballë dhe sa të kem unë fuqi, sa të kem unë energji dhe sa të kem unë vendimmarrje, fryma e fushatës sonë do të jetë vetëm pozitive për qytetin." - u shpreh më tej Veliaj./TPZ.AL/