AKTUALITET, 26 Korrik 2019, 13:19

Veliaj-Bashës: Teatri do të shembet, godinën e SHQUP-it bëje zyra e sallë shfaqjesh

Veliaj-Bashës: Teatri do të shembet, godinën e SHQUP-it bëje


Erion Veliaj ka deklaruar sërish i prerë se do të shembet teatri dhe aty do të ndërtohet godina e re.

“Një gjë është e sigurt: Teatri do të bëhet! Do të respektohen të gjitha procedurat dhe do të kemi një teatër të ri. Siç e dëgjuam edhe nga njerëzit, nuk jetohet vetëm me bukë e ujë, as vetëm me asfalt, por edhe me art e kulturë. Në qoftë se kemi sjellë këtë cilësi te Bregu i Lumit, te ish “Frigoriferi”, te blloku “Besa”, nuk mund të themi që do të rrimë me tallash në qendër të Tiranës, ndërkohë që e kemi bërë kryeqytet Bregun e Lumit”, tha Veliaj teksa ishte në zonën e njohur si “Frigoriferi”, aty ku përfundoi rehabilitimin e bllokut me sipërfaqe 13 hektarë.

Më tej, ai shtoi se kreu i PD, Lulzim Basha, nuk ofron asnjë garanci se do mund të bëjë më shumë se mazhoranca aktuale për komunitetin e artistëve, për sa kohë që kur drejtonte Bashkinë e Tiranës, nuk bëri as rrugët e lagjes së tij në Njësinë 8. “Lul Basha ka qenë banor i kësaj lagjeje; jo vetëm që nuk hodhi një pikë asfalt në rrugën para shtëpisë së tij, që ka qenë në zemër të Tiranës, por bregun e Lumit as nuk e dinte ku binte. Ndaj, kur s’ke bërë asgjë, kur s’ke për të fituar asnjëherë dhe kur s’ke për të qeverisur ndonjëherë, e ke kollaj të premtosh për gjëra që s’ke shans t’i bësh kurrë. Ne nuk kemi asnjë garanci që ai do të vijë në zgjedhjet e tjera. Prandaj, dikush që s’ka asgjë mund të premtojë gjithë botën, kurse dikush që ka çfarë të kontribuojë, sigurisht, matet çfarë premton sepse e di që do të zgjidhet, e di që do të fitojë, e di që do të duhet pastaj të qeverisë dhe e di që do të duhet të mbajë premtimet”, u shpreh Veliaj.

Mandej, kryebashkiaku propozoi që nëse PD-ja ka dëshirë të kontribuojë vërtet për aktorët dhe artistët, le të lirojë godinën e SHQUP-it dhe ta bëjë zyra e sallë shfaqjesh. “Sot edhe Teatri Eksperimental, edhe Teatri Kombëtar, janë pa zyra. Sot Partia Demokratike ka selinë më të madhe në Shqipëri; por, s’ka asnjë deputet, s’ka asnjë anëtar në Këshillat Bashkiakë, nuk ka asnjë kryetar bashkie, pra në termat e shërbëtorëve publikë, PD-ja nuk ka askënd që t’i shërbejë qytetarit, sipas përcaktimit të asaj që quhet shërbëtor publik. Pra, me ligj, nuk i takon as selia, se nuk ka asnjë njeri të përfaqësuar në të gjitha institucionet e Shqipërisë. Prandaj, nëse i do aktorët, meqë kanë mungesë zyrash dhe meqënëse i gjithë ujësjellësi i Kamzës u fut në Teatër dhe panë me sytë e tyre në çfarë kushtesh punohej, le t’u falin SHQUP-in, e cila ka qenë një ndërtesë publike. Të falësh dhe të japësh gjëra që nuk i ke, është shumë kollaj; puna është, a jep dot diçka që e ke?”, tha Veliaj.