AKTUALITET, 3 Tetor 2019, 13:22

Veçimi i Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, Edi Rama ndryshon alibi (video)

Veçimi i Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur sot në Kuvendin e Shqipërisë, një fjalim mjaft të ashpër, ku akuzonte disa vende të Bashkimit Europian, se po penalizojnë Shqipërinë padrejtësisht, për shkak të dinamikave të tyre të brendshme.

I vetëdijshëm se argumenti i tij, të cilin tashmë e ka kthyer në refren, mund të shkërmoqet mjaft lehtësisht, me veçimin që duket se po i bëhet Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria, të cilës  Gjermania nuk i vendosi asnjë kusht për negociatat, Edi Rama ka gërmuar dhe gjetur  një argument të ri. Ai tha se Maqedonia e Veriut, shihet me sy më pak kritik, sepse ka arritur një marrëveshje historike.

"Maqedonia e Veriut që shikohet me sy më pak kritik, e dini sa kohë pret t’i hapen negociatat? Shikohet sot me këtë sy, për shkak të një marrëveshje të madh dhe zgjidhjes së një konflikti, që ka çliruar një ngërç të madh", u shpreh Rama në Kuvend.

Por, kjo është një alibi e re e kryeministrit, sepse pak muaj më parë, ai "recitonte" një tjetër refren, me armiq të brendshëm.

Në një intervistë në emisionin "Opinion", Edi Rama, pasi tha se dinamikat e brendshme të vendeve anëtare po penalizojnë Shqipërinë,  u pyet nga gazetari Andi Tela, për mundësinë që Maqedonia e Veriut të veçohej nga Shqipëria dhe ti hapeshin negociatat. Kryeministri u përgjigj se në rast se ndodh kjo gjë, duhen pyetur "Luli me Saliun" (shih videon), pra se faji do të ishte i opozitës shqiptare.

Pas fjalimit të sotëm në Kuvend, është e qartë se Rama ka hequr dorë nga fajësimi i Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, por shprehet se Maqedonia ka përfituar për shkak të marrëveshjes së emrit. Pra, dinamikat e brendshme të BE-së, sado të pafavorshme, për Maqedoninë e Veriut ka një përjashtim, sepse ka bërë një marrëveshje historike.

Për kryeministrin Edi Rama, largimi me të gjitha mjetet i përgjegjësisë nga vetja edhe qeverisë që drejton, për dështimin e mundshëm të hapjes së negociatave, është kaq i rëndësishëm, sa alibitë dhe justifikimet ndryshojnë dita ditës, ndaj më së paku ato nuk duhen marrë seriozisht, sidomos po  t'i shtosh edhe faktin se ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, Rama deklaroi se asnjë nga vendet anëtare të BE-së, nuk do të mund të anëtarësoshin në BE, nëse aplikojnë sot. Pas kësaj deklarate, nuk mbetet më asgjë për të thënë...

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2019/10/03/edi-rama-i-shastis-te-gjithe-vjell-vrere-ndaj-be-se-po-penalizohem-prej-problemeve-te-tyre/

https://www.tpz.al/2019/10/03/cmendet-edi-rama-sot-asnje-vend-i-be-se-nuk-do-te-futej-dot-ne-be/