AKTUALITET, 3 Tetor 2019, 11:53

Kërkohej për drogë, vetëdorëzohet në polici 28-vjeçari në Shkodër


Vetdorëzohet në polici një prej personave të shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Ndalesa e Fundit”.

Lajmin e bën me dije policia e Shkodrës, e cila njofton sot se bëhet fjalë për shtetasin me inicialet A. B., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për të cilin gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Shkodër bënë ekzekutimin e urdhrit të ndalimit, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër për shtetasin A. B., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ky shtetas, më datë 15.11.2017, gjatë operacionit të finalizuar “Ndalesa e fundit” nga D. V. P. Shkodër, në bashkëpunim me shtetasit K. X., F. H., të cilët janë arrestuar gjatë operacionit, si dhe me E. X. e D. H., të cilët janë shpallur në kërkim, në afërsi të një karburanti në fshatin Grizhë, Malësi e Madhe, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 70 kg Cannabis Sativa.

Shtetasi A. B. së bashku me shtetasit E. X. dhe D. H. sapo kanë parë policinë kanë arritur të largohen.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, e kryer në bashkëpunim”.