AKTUALITET, 3 Tetor 2019, 12:05

Rama "vjell vrer" ndaj BE-së: Po penalizohemi prej problemeve të tyre, nuk janë gati për ne, po na shpallin dele të zezë...

Rama "vjell vrer" ndaj BE-së: Po penalizohemi prej problemeve

Kryeministri Edi Rama, ka mbajtur sot një fjalim të mbushur plot mllef ndaj Bashkimit Europian, duke thënë se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet, por se BE ka një debat të brendshëm të lidhur me krizat e saj dhe kjo gjë po penalizon padrejtësisht Shqipërinë.

Jo vetëm kaq, por kryeministri kishte gjetur edhe një arsyetim, për faktin se BE po e trajton ndryshe Maqedoninë e Veriut nga Shqipëria, gjë që e rrëzonte argumentin e tij, se ne po penalizohemi prej politikave të brendshme të Bashkimit Europian. Por Rama, e ka gjetur "çelësin magjik" edhe për këtë argument që nuk përputhet me realitetin. Ai tha se Maqedonia shihet me sy më pak kritik, sepse arriti një marrëveshje të madhe historike.

"Maqedonia e Veriut që shikohet me sy më pak kritik, e dini sa kohë pret t'i hapen negociatat? Shikohet sot me këtë sy, për shkak të një marrëveshje të madh dhe zgjidhjes së një konflikti, që ka çliruar një ngërç të madh".

Sikur të mos mjaftonte kjo, Rama bëri një deklaratë aq të pabesueshme, sa u "shastisën", edhe shumë nga deputetët e opozitës së re, të cilët rrallë e shfaqin indinjatën e tyre dhe nisën të flasin nga vendi. Kryeministri tha se asnjë nga vendet e Be, nuk do të mund të anëtarësoheshin nëse aplikonin sot si Shqipëria, sepse BE nuk pranon zgjerimin.

"Sot, cilido nga vendet e Bashkimit Europian, që është tanimë i integruar, pas rënies së perandorisë komuniste, do të ishte në pozicionin që të kërkonte të futej në BE, nuk do futej dot në BE. Sot, cilido nga vendet që është në BE, aktualisht po ju them, nuk do futej dot në BE. Madje vende që ishin në BE, përpara rënies së komunizmit nuk do futeshin dot. Sepse, sot BE është në debat të brendshëm, që nuk ka në konsideratë zgjerimin e BE-së, por daljen nga një situatë, e cila e ka vendosur në një pozitë të vështirë në raport me fuqitë e tjera".

Kryeministri u shpreh se kushtet e shtuara ndaj Shqipërisë, nuk kanë asnjë lidhje me qeverinë e tij dhe dështimet e saj, por BE nuk është gati të bëjë "krushqi me ne", madje edhe Gjermania ka problemet e veta të brendshme, prandaj na ka vendosur kushte.

"Ne i kemi plotësuar tre kushtet që BE na vendosi në fillim. Kjo është si puna kur shkon krushqi, dhe të thonë plotëso tre kushte dhe ti kur i plotëson thonë, jo prit se ne kemi dhe 9 kushte të tjera. Ata nuk janë gati të bëjnë krushqi me ne. Kushtet gjermania i ka vënë, për politikën e vetë të brendshme. Edhe pse në grupin më të madh parlamentar në Gjermani, bëhet debat deri në momentin e fundit, sikur çfarë po i japim Shqipërisë. Për politikë të brendshme".

Më tej kryeministri u shpreh se shqiptarët po kthehen në "dele të zeza" në Hollandë, pa asnjë arsye.

"Të kthehet shqiptari në dele të zezë. Nuk di si ta shpjegoj, që kapet një bandë me belgë, hollandezë, marokenë dhe dy shqiptarë, titulli është kapet banda e shqiptarëve".

Duket se strategjia e kryeministrit ka ndryshuar, pas shfaqjes së skepticizmit të disa vendeve, lidhur me negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian. Ai tashmë është hedhur në sulm, ndaj vendeve të BE-së. Lutja dhe servilizmi, me shpresën se mund të merrnim çeljen e negociatave,  i kanë hapur rrugë arrogancës. Tashmë, sipas Edi Ramës, këto vende, po na penalizojnë, se kanë problemet dhe politikat e tyre dhe se shqiptarët po kthehen padrejtësisht në "dele të zezë". Me sa duket, kryeministri e ka gjetur tashmë armikun, por ne me forcat tona do t'ja dalim...

/TPZ.al/

LEXO EDHE:

https://www.tpz.al/2019/10/03/vecimi-i-maqedonise-se-veriut-nga-shqiperia-edi-rama-ndryshon-alibi-video/?fbclid=IwAR2a6QbYMlvz1pK07j8bz33p88bpU_xtVYMXJ4fmKzhN5RZdk2mI1FRA1kA

https://www.tpz.al/2019/10/03/cmendet-edi-rama-sot-asnje-vend-i-be-se-nuk-do-te-futej-dot-ne-be/