SPORT, 23 Shtator 2020, 13:00

U raportua për të infektuar me koronavirus te Real Madrid, klubi del me deklaratë zyrtare

U raportua për të infektuar me koronavirus te Real Madrid, klubi del

Real Madrid luajti para tre ditësh sfidën e parë të edicionit të ri në La Liga, ku u ndal në barazim 0-0 ndaj Real Sociedad. Për “Los Blancos” si titullar e nisi ndeshjen Martin Odegard, i cili sezonin e shkuar ishte pjesë pikërisht e skuadrës baske, duke u shndërruar në një nga më të mirët e këtij ekipi. Mediet spanjolle ditën e djeshme raportuan se talenti norvegjez është infektuar me koronavirus në ndeshjen e fundit dhe më pas është stërvitur me ekipin, duke krijuar një frikë se ai mund të ketë infektuar edhe pjesëtarë të tjerë të skuadrës. Megjithatë, është Real Madrid, që qetëson gjithë tifozët madrilenë përmes një deklarate. “Los Blancos” lajmërojnë se e gjithë skuadra dhe stafi teknik kanë rezultuar negativë, duke përgënjeshtruar edhe lajmin se Odegard është prekur nga Covid-19. “Real Madrid ju komunikon se pas testeve të fundit për Covid-19, të kryera në ekipin tonë të parë të futbollit dhe stafin e tyre stërvitor, të gjithë kanë dalë negative”, shkruhet në deklaratën e klubit kampion.