AKTUALITET, 31 August 2026, 19:05

U largua nga shtëpia për të jetuar me të dashurin italian, prindërit shqiptarë e përndoqën për muaj me radhë

Një vajzë 20-vjeçare me origjinë shqiptare është përfshirë në një histori të rëndë familjare në Rimini të Italisë, pasi vendosi të largohej nga shtëpia për të bashkëjetuar me të dashurin e saj italian.

Sipas raportimeve të mediave italiane, prindërit e saj, 44 dhe 47 vjeç, me origjinë nga Maqedonia e Veriut, nuk e kanë pranuar lidhjen për shkak të dallimeve fetare. Ata dyshohet se i kanë ushtruar presion të vazhdueshëm vajzës dhe e kanë kërcënuar pasi ajo refuzoi t’i jepte fund marrëdhënies. Familja, e cila jeton prej vitesh në Rimini, kishte vendosur rregulla të rrepta në jetën e vajzës, përfshirë mënyrën e veshjes, shoqërinë dhe zgjedhjet personale. Situata u përkeqësua pasi 20-vjeçarja nisi një lidhje me një të ri italian që nuk ishte mysliman.

Përballë presionit të vazhdueshëm, e reja vendosi të largohej nga banesa e prindërve dhe të shkonte të jetonte me partnerin. Çifti u përpoq të mbante të fshehtë adresën e re, por prindërit dyshohet se nisën të kërkonin informacion te të afërm, të njohur dhe persona të komunitetit, derisa arritën të zbulonin se ku jetonin dy të rinjtë. Pas kësaj, sipas dosjes hetimore, vajza nisi të merrte mesazhe të shpeshta nga familjarët, të shoqëruara me kërcënime. Në një prej tyre, sipas mediave italiane, thuhej: “Mund të të gjej edhe sikur të shkosh në Hënë, sepse familjet shqiptare janë të gjitha të bashkuara”.

Një tjetër mesazh, sipas hetimeve, përmbante paralajmërimin: “Nëse nuk kthehesh në shtëpi, do të kesh një jetë ferr.”. Të frikësuar nga situata, çifti iu drejtua Policisë së Riminit dhe bëri një denoncim. Por presioni, sipas tyre, nuk u ndal. Në një tjetër episod, prindërit i dërguan vajzës një fotografi ku babai shfaqej pranë rrugës ku ndodhej banesa e saj me të dashurin. Për çiftin, kjo ishte dëshmi se prindërit tashmë e kishin lokalizuar shtëpinë dhe mund të shfaqeshin aty në çdo moment.

Pas këtij episodi, dy të rinjtë bënë një tjetër denoncim dhe kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve për të parandaluar kontaktet dhe afrimin e prindërve. Situata arriti kulmin në maj të vitit 2026. Sipas hetimeve, prindërit shkuan në banesën e çiftit dhe hynë brenda pa leje. Mediat italiane raportojnë se situata rrezikoi të përfundonte në përleshje fizike, pasi dy të rinjtë dyshohet se u kërcënuan me sulm. Çifti arriti të largohej në një dhomë tjetër, ku u mbyll me çelës dhe telefonoi policinë. Ndërhyrja e efektivëve shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.

Pas mbledhjes së dëshmive dhe episodeve të denoncuara, Prokuroria e Riminit vendosi të procedojë penalisht dy prindërit. Ata po hetohen në gjendje të lirë për akuzat e përndjekjes dhe kërcënimeve. Hetimet vijojnë, ndërsa 20-vjeçarja dhe partneri i saj kërkojnë të vazhdojnë jetën së bashku, larg presionit familjar dhe episodeve që, sipas denoncimeve, kanë zgjatur për muaj.