AKTUALITET, 20 August 2026, 17:29

U kafshua nga gjarpri në Valbonë, rrëfehet turistja australiane: Telefonova dy herë 112, s'mora përgjigje! Babai njoftoi Interpolin! Spitali pa kushte

Një udhëtim në Valbonë u kthye në një përvojë të frikshme për turistja australiane Amy Lecons, e cila më 22 qershor u kafshua nga një gjarpër helmues teksa po vraponte në një nga shtigjet e zonës. Ajo kishte planifikuar një vrapim rreth 90-minutësh, por përfundoi duke qëndruar për tre ditë nën kujdes mjekësor.

Lecons tregon se pas kafshimit arriti të filmonte gjarprin për të ndihmuar në identifikimin e tij dhe tentoi të kontaktonte numrin shqiptar të emergjencës 112. Sipas saj, telefonata e parë zgjati më pak se një minutë dhe u ndërpre, ndërsa edhe telefonata e dytë, të cilën e bëri pak më vonë, përfundoi pas rreth 53 sekondash.

Në pamundësi për të marrë ndihmë përmes 112, turistja kontaktoi babain e saj në Australi, i cili është mjek familjeje. Ai e udhëzoi për veprimet që duhej të ndërmerrte dhe kontaktoi shërbimet australiane të emergjencës. Ndërkohë, Lecons i dërgoi vendndodhjen e saj të saktë përmes aplikacionit What3Words.

Sipas rrëfimit të saj, një ndihmë të rëndësishme dha pronari i hotelit ku kishte qëndruar në Shkodër. Ai kontaktoi shërbimet lokale dhe, paralelisht, shërbimet australiane të emergjencës po komunikonin edhe me Interpolin. Ambulanca mbërriti rreth 25 minuta pas kafshimit, ndërsa ekipit iu deshën edhe rreth 30 minuta për ta nxjerrë nga shtegu. Pas rreth një ore tjetër, ajo u dërgua në spitalin e Bajram Currit, ku mori antihelmin.

Turistja ka ngritur shqetësime edhe për kushtet në spital. Ajo pretendon se për një ditë nuk kishte letër higjienike, ndërsa ditën e dytë iu tha të gjente dikë për t’i blerë akull, pasi furnizimi i spitalit kishte përfunduar. Lecons thotë gjithashtu se nuk mori këshilla të mjaftueshme shëndetësore pas daljes nga spitali.

Megjithatë, ajo thotë se tashmë është rikuperuar. Lecons shprehet se vendosi të tregojë publikisht përvojën e saj jo për të vënë në dyshim mikpritjen e shqiptarëve, por për të ngritur shqetësimin mbi funksionimin e shërbimeve shëndetësore dhe emergjencës për turistët në Shqipëri.