AKTUALITET, 20 August 2026, 16:02

“Maliqi ka qenë dhe duhet të mbetet Bashki”/ Tedi Blushi kundër propozimit të PS: S’ka nevojë të shkrihet, por duhet të zhvillohet

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka deklaruar se banorët e Maliqit nuk duhet të dorëzohen përballë një riorganizimi territorial të propozuar nga PS.

Në një postim në rrjetet sociale, Blushi tha se gjatë vizitës në Maliq ka parë “zemërimin, dhimbjen, por mbi të gjitha vendosmërinë” e banorëve për të kundërshtuar ndryshimet e propozuara. Sipas tij, Maliqi është një zonë me rëndësi të veçantë bujqësore dhe ekonomike për vendin dhe nuk duhet të trajtohet thjesht si një njësi administrative.

“Sot u them banorëve të Maliqit, Libonikut, Gorës, Moglicës, Pirgut, Vreshtasit, Pojanit dhe çdo fshati të kësaj treve: MOS U DORËZONI, SEPSE NUK JENI VETËM!

Maliqi ka qenë dhe duhet të mbetet Bashki.  Maliqi nuk ka nevojë të shkrihet por ka nevojë të zhvillohet!

Turp për Gëzim Topçiun, Niko Peleshin dhe deputetët e PS të Qarkut që e tradhtuan besimin e qytetarëve që i kanë votuar për vite me radhë”, shkruan ndër të tjera Blushi.