TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Gjykata e Apelit në Durrës ka pushuar çështjen ndaj Florenc Çapja, i cili akuzohej për “vrasje e mbetur në tentativë” ndaj ish-efektivit të policisë Fadil Mema.
Sot, gjykata e Apelit në Durrës, e kryesuar nga Anita Mici gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, të gjyqtarit Tomor Kullolli, i cili në 20 nentor 2019 vendosi të pushojë, akuzat e ngritura nga prokuroria për Çapjan, raporton korespondenti i Panorama.
Prokuroria e Elbasanit e akuzonte për “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Florenc Çapja, ishte duke u gjykuar në gjykatën e Apelit në Durres, pas ankimimit të bërë nga prokuroria e Elbasanit, ndaj vendimit te dates 20 nëntor 2019 te marre nga gjyqtari Tomor Kullolli, i cili gjate nje seance paraprake vendosi të pushojë dy akuzat e ngritura nga prokuroria, atë të “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”, duke urdhëruar lirimin nga qelia të Florenc Çapjes.
PLAGOSJA E FADIL MEMËS
Në fillim të vitit 2006, u plagos me armë zjarri në këmbë Fadil Mema, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Sokol Çapjas. Florenc Çapja, që në atë kohë u kthye nga emigracioni për të marrë pjesë në varrosjen e xhaxhait të tij, disa ditë më pas ka shkuar shumë pranë banesës së Memës, pranë Doganës së Elbasanit, dhe ka qëlluar në drejtim të tij me breshëri kallashnikovi. Plumbat e prekën Memën vetëm në këmbë.
Sherri mes miqsh që solli 9 të vrarë ndërmjet dy fiseve
Fisi Çapja është një nga më të përfolurat në Elbasan, sa i takon botës së krimit. Kjo për shkak se prej vitit 2005, pjesëtarë të tij akuzohen se kanë kryer disa vrasje për hakmarrje. Zanafilla ishte ekzekutimi i Sokol Çapjas në vitin 2005. Për këtë, Çapjat akuzuan Dritan Shemen dhe persona të tjerë të përfshirë.
Përfshirja e ish-shefit të Policisë Rrugore në këtë histori lidhet me faktin se Sheme është nipi i Fadil Memës. Ky i fundin u përpoq të kryente rolin e ndërmjetësin për shuarjen e konfliktit Çapaj-Sheme, por përshkallëzimi i sherrit në vrasje, solli dhe vrasjen e vetë Memës, 10 vite pas vrasjes së Sokol Çapjas. Fillimisht, në vitin 2006, u vra Ardian Ibrahimi, 34 vjeç, burri i motrës së Fadil Memës.
Po në atë vit, u ekzekutua në një lokal në Tiranë, Dritan Sheme, autori i dyshuar i vrasjes së Sokol Çapjas. Sheme kishte rreth tre muaj që qëndronte i fshehur në kryeqytet për të mos u identifikuar; flokët nga të zeza i kishte lyer me ngjyrë të verdhë. Ai u qëllua me breshëri automatiku në një lokal shumë pranë banesës ku strehohej. Më 2012 vritet Gentian Beqiri, pasi fisi Çapja e akuzonte si pjesëmarrës në vrasjen e Sokol Çapjas.
Beqiri ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme. Edhe pse ruhej me Polici, në momentin që forcat e Rendit po ndërronin turnin, një person e ekzekutoi në gjumë. Në mars 2015, u vra në Torino Fadil Mema.
Dy persona e qëlluan pranë banesës. Ndërsa në fillim të vitit 2016, pati atentat ndaj Çapjave, ku shënjestër ishte pikërisht Florenc Çapja. Të vrarë mbetën tre persona, mes të cilëve dhe Agron Çapja. Në qershor 2016, iu bë atentat sërish Florenc Çapjas, por sërish u shpëtoi plumbave./PANORAMA