AKTUALITET, 14 Prill 2020, 13:54

Rama: Që nga koha e Skënderbeut, këtu nuk ka vdekur njeri për bukë! Nuk japim makarona dhe vaj, por një pako të plotë...

Rama: Që nga koha e Skënderbeut, këtu nuk ka vdekur njeri

Kryeministri Edi Rama, është shfaqur sot në ERTV dhe në televizionet informative të vendit, për t'u kthyer përgjigje komentuesve në rrjetet sociale.

Rama tha se qeveria po ndihmon në mënyrë të paprecedent qytetarët dhe se askush nuk duhet të shqetësohet, sepse në "trojet shqiptare nuk ka vdekur njeri për bukë, që nga koha e Skënderbeut".

"Për bukë, në Republikën e Shqipërisë jo e jo, por në trojet shqiptare, që nga koha e Skënderbeut meqë e keni qejf disa të bëni ironi me Skënderbeun, nuk ka vdekur kush ndonjëherë, kurrë shqiptar për bukë, nuk ka në historinë e Shqipërisë. Kjo sepse, është bukë, kripë dhe zemër, historia e Shqipërisë, nuk ka dalë kot ajo fjala.

Në këtë vend ka solidaritet, ka ndihmë. Në këtë vend, pavarësisht çfarë thonë disa, po ndihmohen sot njerëzit më në nevojë, siç as nuk mund të imagjinohej, se mund të ndihmoheshin më parë. E them me bindje.

Kanë kaluar 200 mijëshin, rastet e trokitjeve derë më derë nga operacioni humanitar. Jo me një kile makarona dhe një shishe vaj, por me një pako të plotë, që i ka ndihmuar familjet në ndihmë ekonomike dhe në vështirësi më të mëdha", tha Rama.

Pra, siç e shpjegoi edhe kryeministri, apo "Skënderbeu" i kohëve moderne, sipas Elisa Spiropalit,  të gjithë duhet të qetësohen, sepse nuk do të ketë fatalitete si pasojë e mungesës së ushqimit, se kjo gjë nuk paska ndodhur as në kohën e Skënderbeut të parë.

/TPZ.al/