AKTUALITET, 14 Prill 2020, 13:23

Maliqi zbulon prapaskenat: Deputetët e opozitës do japin votat për Kodin Penal, Rama ka nisur fushatën, ja dy aktet që e vërtetojnë

Maliqi zbulon prapaskenat: Deputetët e opozitës do japin votat


Deputeti i Pavarur Lefter Maliqi ka qenë i ftuar sot në studion e lajmeve në Fax News, ku ka folur lidhur me masat e qeverisë gjatë pandemisë së koronavirusit.

Maliqi tha se veprimet e ndërmarra në shumicën e rasteve kanë qenë të papërgjegjshme, pasi aktet normative kanë hyrë në fuqi, pa u miratuar më parë në Kuvend.

Referuar ndryshimeve në Kodin Penal, që parashikojnë burg për personat që thyejnë karantinën, Maliqi tha se kjo nuk ndodh as në vende si Koreja e Veriut.

“Unë e nisa që në këtë situatë nuk është mirë që të merremi me politikë, por gjendja të bën vetvetiu të ndjeshëm ndaj politikës.

Ne jemi republikë parlamentare, që do të thotë se Kuvendi miraton çdo ligj, por këtu të gjitha aktet normative kanë marrë fuqi, pa u miratuar nga Kuvendi. As ushtria nuk mund të dalë pa votat në Kuvendin e Shqipërisë.

Ne për këtë demokraci kemi luftuar, të gjitha veprimet e marra nga qeveria janë të papërgjegjshme, duke filluar nga lënia në kufi për disa ditë me radhë e qytetarëve tanë në kufi.

Këtu te ne ka vdekur demokracia lokale, dhe po vdes dhe demokracia e vendit. Nuk ndodh as në Korenë e Veriut që të dënohet me 15 vite burg, për përhapjen e sëmundjes, kush është ai që do të sëmurë familjen apo personat e tjerë”, u shpreh Maliqi.

Sa i takon seancës së ditës së enjte, Maliqi tha se ajo do të jetë një show qeveritar, pasi koha e lënë për të folur për deputetët e opozitës është shumë e vogël.

Maliqi shtoi se qeveria po e shfrytëzon gjendjen e emergjencës për të nisur fushatën elektorale, dhe për ti shërbyer kësaj u krye dhe amnistia në burgje, ku u nxorën më shumë se 600 persona.

Deputeti shtoi se ka indicie që deputetët e dalë nga opozita, mund të bashkojnë votat me qeverinë, dhe kjo sipas tij është e papranueshme.

“Këto janë show dhe presione, dhe pati një fat të madh, që po ecën në trashëgiminë e etërve të tij. Ne kemi parë vetë show, ky projektligj do të ketë ndryshime, unë vetë do të votoj kundra, por kam frikë se deputetët e opozitës së re, do ti bashkojnë votat me mazhorancës. Kjo është e turpshme, që ti të kesh marrë votat e opozitës, dhe të japësh votat për një akt të tillë.

Kjo qeveri ka nisur fushatën për zgjedhjet e ardhshme, duke nisur me lirimin e të burgosurve, kur ata janë kategoria më pak e rrezikuar, mjafton që tiu hiqej takimi me familjarët. Po ashtu propaganda e tij për të mbrojtur pensionistët nuk është gjë tjetër veçse ideja e tij për t’iu marrë votat në zgjedhjet e ardhshme. Ndihmat ndahen sipas partive, pasi këta kanë në dorë dhe pushtetin lokal.

Për ne deputetët e pavarur është lënë një kohë nga 20 sekonda, do ketë një show të vërtet mediatik në Kuvend, nuk i gjen gjë, të jeni të sigurt, qytetarët do uronin që ne të na kapte koronavirusi”, tha Maliqi.

Deputeti komentoi dhe përgjysmimin e pagave të tyre, kur tha se do të ishte më mirë, që ata ti menaxhonin vetë dhuratat e tyre, dhe jo t’ia kalonin Buxhetit të Shtetit.

“Do të ishte e mira që të gjithë deputetët pjesën e pagave ta çonin atje ku do të dëshironin ata. nami ka dalë që deputetët janë të pasur, pasi ka dhe deputetë të ndërgjegjshëm, që jetojnë vetëm me rrogën. Unë personalisht do të doja që paratë e mija ti çoja për policinë e shtetit, apo familjet në nevojë të zonës se ku unë jetoj”, përfundoi Maliqi.