AKTUALITET, 14 Gusht 2020, 11:28

“Tre ditë nuk ke ditur ku ke qenë’/ Pamjet e trishta nga ‘Shefqet Ndroqi’, pacientë me tuba në hundë, s’kthejnë dot as përgjigje


Publikohen për herë të parë pamjet nga brenda Spitalit “Shefqet Ndroqi” i cili po përballet me një fluks të lartë personash të infektuar nga koronavirusi.

Me tubat e oksigjenit në hundë, shumë prej tyre nuk arrijnë as të japin përgjigje kur mjekët i pyesin ‘si jeni’.

Duart e krahët për shumë pacientë shihen të nxira nga vigonat përmes të cilëve marrin ilaçet e serumet.

“Ia ke hedhur, e di 4 ditë ke ardhur e ti sot po më shef mua”, i thotë Shefja e Shërbimit të Pneumologjisë, prof. Silvana Bala njërës prej pacienteve.

Një tjetër paciente femër e shëruar, thotë: “Jam shumë, shumë më mirë se ditën e parë që kam ardhur”.

“Tre ditë nuk ke dit ku ke qenë”, i thotë Bala një gruaje të moshuar.

“Doktorët do më shpëtojnë, do më çojnë tek familja”, ia kthen ajo, që duket se ka shumë shpresë për jetën.

“Asnjëherë mos mendoni që kjo sëmundje është e lehtë. Është shumë e rëndë.

Këta persona që shihni këtu, kanë qenë të shëndoshë, por në një moment, janë në vështirësi me jetën”, tha prof. Bala.