AKTUALITET, 14 Gusht 2020, 10:42

Takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, Vuçiç: Do të marrë pjesë

Takimi Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë,


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç konfirmoi pjesëmarrjen e Serbisë në takimin e 2 shtatorit në Uashington.

“Ne do të marrim pjesë në bisedime dhe temat me sa kam biseduar me Grenell, janë ekonomike”, tha Vuçiç.

I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell tha se më 2 shtator ka thirrur në takim në Shtëpinë e Bardhë, liderët e Kosovës dhe Serbisë, por nuk dha detaje se cilat do të jenë temat që do të bisedohen në të.

Pjesëmarrja u konfirmua më herët edhe nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili tha se me palën serbe në Shtëpinë e Bardhë do të takohen si dy shtete të pavarura.

Për takimin ka reaguar edhe ambasada amerikane në Serbi, teksa e ka vlerësuar si një “lajm të mirë”.

“Takimi i liderëve të Serbisë dhe Kosovës në Shtëpinë e Bardhë do ta shtynte përpara dialogun e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon”, shkruan ambasada në rrjetin social “Twitter”.