TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Për 15 vite, Lisa, një nënë beqare, siguroi jetesën duke shkruar përmbajtje online.
Ajo nisi të shkruante menjëherë pas përfundimit të universitetit, punoi për vite si e pavarur dhe më pas ndoqi rrugën e shumë të rinjve filipinas: u punësua në një kompani shumëkombëshe në industrinë e lulëzuar të kontraktimit të shërbimeve (Call center / shërbim klienti në anglisht: outsourcing) në vend.
Lisa thotë se nuk e ndjeu kurrë të nevojshme të përdorte inteligjencën artificiale (IA) në punën e saj.
“Unë mund të them se e bëj punën time, i respektoj afatet. Sipas mendimit tim, nuk ka nevojë për [IA]”, i tha ajo BBC-së.
Por pas tetë muajsh në pozicionin e saj të fundit, vetëm një muaj para se kontrata e saj të bëhej e përhershme, ajo u pushua nga puna.
Në muajt para largimit, Lisa thotë se një agjenci marrëdhëniesh me publikun ishte ngarkuar të prodhonte materiale të krijuara nga inteligjenca artificiale, të cilat ajo dhe kolegët e saj duhej t’i redaktonin. Ajo thotë se aftësitë e tyre u përdorën për të trajnuar IA-në që të ndiqte stilin e shkrimit të kompanisë.
“Më duket se i hapa vetes varrin”, thotë ajo. “Ne ishim ata që trajnuam inteligjencën artificiale që më pas na zëvendësoi.”
Lisa, emri i së cilës është ndryshuar, është një nga disa ish-punonjës të sektorit të Call center / shërbim klienti (outsourcing ) me të cilët foli BBC-ja dhe që kërkuan të mbeteshin anonimë. Ata kishin firmosur marrëveshje konfidencialiteti në këmbim të pagesave të largimit dhe druhen se dalja publike mund të dëmtojë mundësitë e tyre për të gjetur punë në një industri ku rrjeti profesional është i kufizuar.
Përvojat e tyre hedhin dritë mbi një pyetje që po përballet me ekonomitë në zhvillim si Filipinet: çfarë ndodh kur inteligjenca artificiale nis të automatizojë vendet e punës që kanë ndihmuar miliona njerëz të kalojnë në shtresën e mesme?
Industria që ndërtoi një ekonomi
Çdo mbrëmje rreth orës 17:00, turma punonjësish me varëse identifikimi të kompanive dalin nga kullat e larta të zyrave në zonën Cubao të Manilës.
Është një nga disa zona të kryeqytetit ku kompanitë shumëkombëshe kanë ngritur qendra operimi, duke ofruar shërbime të ndryshme outsourcing-u, përfshirë qendrat e telefonatave, kontabilitetin, zhvillimin e programeve dhe shkrimin e materialeve të marketingut për klientë mijëra kilometra larg.
Për më shumë se dy dekada, këto zona biznesi kanë simbolizuar një nga historitë më të mëdha të suksesit ekonomik të Filipineve.
Në fillim të viteve 2000, vendi u promovua si një alternativë anglishtfolëse ndaj Indisë për industrinë e quajtur outsourcing i proceseve të biznesit (BPO).
Qeveri të njëpasnjëshme ofruan lehtësi fiskale, investuan në infrastrukturë dhe nxitën kompanitë shumëkombëshe të hapnin qendra të mëdha.
Gjigantë globalë si Accenture, Concentrix dhe Teleperformance ndërtuan komplekse të mëdha, duke punësuar qindra mijëra filipinas.
Sot, industria e outsourcing-ut punëson rreth 1.9 milionë persona dhe gjeneron rreth 40 miliardë dollarë të ardhura në vit, duke përbërë afërsisht 10% të ekonomisë së Filipineve.
Por ekspertët thonë se ky sektor është veçanërisht i ekspozuar ndaj ndikimit të inteligjencës artificiale.
Organizata Ndërkombëtare e Punës vlerëson se 12.7 milionë filipinas – më shumë se një në katër punëtorë – janë në profesione të prekshme nga AI gjeneruese, përqindja më e lartë në Azinë Juglindore.
Organizata parashikon se shumë vende pune do të ndryshojnë dhe jo domosdoshmërisht do të zhduken, por lloji i shërbimeve që ofrohen në Filipine e bën vendin më të rrezikuar.
Jack Madrid, president i Shoqatës së Teknologjisë së Informacionit dhe Proceseve të Biznesit në Filipine (IBPAP), pranon se IA po përqafohet nga sektori.
Më shumë se dy të tretat e kompanive anëtare të IBPAP tashmë po testojnë projekte me inteligjencë artificiale.
“Agjentët IA kanë potencialin të automatizojë me një ritëm shumë më të shpejtë. Është e qartë se ekziston një shtresë vendesh pune që mund të automatizohen ose tashmë janë automatizuar”, tha Madrid.
Megjithatë, ai shton se shumica e punonjësve të prekur janë transferuar në role të tjera brenda të njëjtave kompani.
Madrid thotë se ngadalësimi i punësimeve nuk lidhet vetëm me AI.
“Kemi parë një ngadalësim në vendimet për investime, nëse funksione apo procese të caktuara duhet të transferohen jashtë vendit”, tha ai, duke përmendur kërkesën më të dobët globale dhe pasigurinë se si kompanitë do ta përdorin teknologjinë.
Megjithatë, ai pranon sfidën.
“Ne nuk mund të bëjmë kurrë mjaftueshëm për t’u përgatitur. Rëndësia e rikualifikimit të punonjësve nuk mund të mbivlerësohet”, tha ai.
Presioni për automatizim
Mary, një tjetër ish-shkrimtare përmbajtjesh, thotë se punëdhënësi i saj inkurajoi përdorimin e AI si mjet për rritjen e produktivitetit.
Por në vend që t’ia lehtësonte punën, ajo thotë se teknologjia krijoi më shumë përgjegjësi.
“Duhej të redaktonim më shumë, të kontrollonim më shumë faktet, sepse të dhënat e prodhuara nga AI ishin të pasakta. Teknikisht, ishte më shumë punë për ne”, tha ajo.
Ashtu si Lisa, edhe Mary u pushua më vonë nga puna.
Ekspertët thonë se kompanitë janë nën presion për të zbatuar IA, për të ulur kostot dhe për të rritur produktivitetin.
Teleperformance ka deklaruar se inteligjenca artificiale do të përdoret për të ndihmuar punonjësit dhe jo për t’i zëvendësuar ata, duke marrë përsipër ndërveprimet rutinë, ndërsa njerëzit do të fokusohen në detyra më komplekse.
Kompania ka thënë gjithashtu se planifikon të trajnojë punonjësit për teknologjinë e re.
Edhe Accenture ka deklaruar se IA gjeneruese do të ndryshojë pothuajse çdo profesion, por jo domosdoshmërisht do të eliminojë vendet e punës.
Concentrix, kompania më e madhe e outsourcing-ut në Filipine, thotë se sistemet e saj të IA duhet të mbeten nën mbikëqyrje njerëzore dhe se ka angazhuar trajnime për punonjësit.
Sipas Paul Quintos nga Universiteti i Filipineve-Diliman, disa drejtues filipinas janë të shqetësuar për ritmin e adoptimit të AI.
Ata druhen se sa pjesë e fuqisë punëtore vendase mund të humbasë vendet e punës.
“Por ka një presion të madh nga klientët e huaj për të përdorur IA. Është një masë e rëndësishme për uljen e kostove”, tha ai.
Kompanitë filipinase të outsourcing-ut konkurrojnë drejtpërdrejt me rivalët në Indi dhe vende të tjera për kontrata nga korporatat shumëkombëshe.
Gjithnjë e më shumë, këta klientë presin që furnizuesit jo vetëm të ofrojnë punë më të lirë, por edhe të integrojnë IA në shërbimet e tyre.
Një tranzicion i pashmangshëm
Organizatat e punëtorëve i thanë BBC-së se ligjet ekzistuese të punës në Filipine rregullojnë pushimet nga puna, por ofrojnë pak udhëzime për mënyrën se si kompanitë duhet të prezantojnë IA në vendet e punës ose të konsultohen me punonjësit.
Sektori i outsourcing-ut në Filipine gjithashtu nuk është i organizuar në sindikata, duke u lënë shumë punëtorëve pak ndikim formal mbi mënyrën se si përdoren teknologjitë e reja.
Qeveria thotë se ajo dhe sektori privat kanë përgjegjësi për rikualifikimin e punonjësve dhe se vendi rrezikon të mbetet pas konkurrentëve si India dhe Singapori.
“Për të qenë krejtësisht i sinqertë, mendoj se jemi pak prapa. Duhet të kapim ritmin”, tha Leandro Aguirre nga Departamenti i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Filipine.
Qeveria është zotuar të trajnojë më shumë se 300 mijë punonjës të sektorit të outsourcing-ut, por Aguirre pranon se Filipinet mund të duhet të rishikojnë modelin ekonomik që i bëri një qendër globale të këtij sektori.
“Ne jemi mbështetur shumë te investimet e huaja direkte. Por mendoj se duhet të fokusohemi edhe te talentet vendase dhe kompanitë lokale”, tha ai.
Për më shumë se 20 vite, Filipinet ndërtuan një nga industritë më të suksesshme të outsourcing-ut në botë duke shitur aftësitë e njerëzve të saj te kompanitë shumëkombëshe.
AI mund të mos e përfundojë këtë model, por padyshim po e ndryshon atë dhe rrezikon të lërë pas shumë punonjës. /BBC/