TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një 26-vjeçar afgan, kampion boksi në Greqi, akuzohet se ka vrarë një 38-vjeçare britanike në Athinë dhe më pas është përpjekur të devijojë hetimet duke u shtirur si një xhihadist.
Sipas mediave greke dhe dokumenteve hetimore, Sharif Ahmadzai dyshohet se vrau Elisabeth-Jane Ross, shtetase britanike me origjinë nga Skocia, dhe më pas fshehu trupin e saj brenda një valixheje në një ndërtesë të braktisur në zonën e Kypselit, në Athinë.
Hetuesit dyshojnë se pas krimit, 26-vjeçari përdori telefonin e viktimës për t’u dërguar mesazhe familjarëve dhe miqve të saj, përpara se ta fikte pajisjen.
Më pas, sipas hetimeve, ai bleu një telefon tjetër dhe u dërgoi mesazhe disa personave, përfshirë edhe bashkëshorten e tij, duke u paraqitur si një xhihadist anonim. Në këto mesazhe pretendohej se gruaja ishte vrarë për shkak se po përpiqej të përhapte fenë e krishterë.
Policia greke dyshon se ky veprim ishte një përpjekje për të krijuar një pistë të rreme dhe për të fshehur autorin e vërtetë të ngjarjes.
Sipas dosjes hetimore, Ahmadzai akuzohet gjithashtu për grabitjen e kartave bankare të viktimës dhe tërheqjen e mijëra eurove nga llogaritë e saj pas vrasjes.
Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e rastit ka pasur bashkëshortja e tij, Alaina Hall, shtetase amerikane, e cila drejtonte së bashku me të një organizatë jofitimprurëse në Athinë për mbështetjen e refugjatëve.
Hall u bë dyshuese pasi u zgjua në orët e para të mëngjesit të 16 korrikut dhe konstatoi se bashkëshorti i saj nuk ndodhej në banesë. Përmes aplikacionit të lokalizimit “Find My Friends”, ajo arriti të gjurmonte vendndodhjen e tij pranë apartamentit ku jetonte viktima.
Sipas dëshmisë së saj, Ahmadzai i kishte dhënë 2.550 euro dhe një telefon të ri iPhone 17 Pro, për të cilat ajo dyshonte se ishin blerë me paratë e marra nga llogaritë bankare të Elisabeth-Jane Ross.
Pamjet e kamerave të sigurisë, sipas hetuesve, tregojnë një person që ngjan me Ahmadzain duke shtyrë një valixhe të madhe në rrugët e Kypselit, pranë zonës ku më vonë u gjet trupi i pajetë i 38-vjeçares.
Hetuesit besojnë se trupi i viktimës ndodhej brenda valixhes. Kamerat kanë regjistruar gjithashtu të dyshuarin duke tërhequr para nga bankomatet me kartat bankare të viktimës.
Sharif Ahmadzai pritet të dalë para gjykatës në Athinë, ku përballet me akuzat për vrasje, grabitje dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas mediave britanike, Ahmadzai mbërriti në Greqi në vitin 2016 pasi kishte kaluar përmes Pakistanit, Iranit dhe Turqisë. Në kampin e emigrantëve në Moria ai u njoh me Alaina Hall, e cila punonte si vullnetare.
Ai u konvertua në fenë e krishterë në vitin 2017 dhe çifti u martua në prill të vitit 2023. Së bashku themeluan organizatën “Love Every Nation”, e cila ndihmonte refugjatët në Athinë.
Ahmadzai ishte gjithashtu boksier profesionist dhe në muajin mars fitoi titullin kampion të Greqisë në kategorinë super të lehtë. Përmes aktivitetit sportiv ai organizonte edhe kurse boksi për të mbledhur fonde për organizatën.
Elisabeth-Jane Ross kishte mbërritur në Athinë më 26 qershor për të marrë pjesë në aktivitete vullnetare të organizatave bamirëse, siç kishte bërë prej vitesh.
Trupi i saj u gjet më 18 korrik. Vdekja e saj ka tronditur komunitetin e vullnetarëve dhe besimtarëve të kishës “City on a Hill” në Edinburg, ku ajo ishte anëtare prej rreth 20 vitesh.
Pastori Peter Anderson e përshkroi Ross si një grua që ia kishte kushtuar jetën misionit dhe ndihmës ndaj të tjerëve, duke e cilësuar humbjen e saj një tragjedi të madhe për komunitetin.