BOTA, 5 August 2026, 16:51

Momente tmerri në Tajlandë, rrufeja vret futbollistin në fushë, 12 të tjerë plagosen (VIDEO)

Një incident tragjik ndodhi të martën (4 gusht) në Tajlandë, gjatë një ndeshjeje futbolli të Yala FC për kupën, pasi një rrufe goditi fushën, duke rezultuar në vdekjen e  një futbollisti 24-vjeçar dhe 12 të tjerë u plagosën.

Sipas informacioneve nga “e.vnexpress.net”, incidenti fatal ndodhi në stadiumin Santiphap, në distriktin Su-ngai Kolok të provincës Narathiwat.

Gjatë ndeshjes, pati shi të rrëmbyeshëm dhe papritmas një rrufe goditi barin dhe menjëherë disa lojtarë futbolli u rrëzuan.

Të plagosurit u dërguan në spital për të marrë ndihmën e parë. Megjithatë, anësori 24-vjeçar i Yala FC, Safwan Awa, pësoi lëndimet më të rënda dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, futbollisti i ri nuk ia doli mbanë, siç raportohet nga Thai PBS World.

Faqja zyrtare e ekipit të tij të futbollit, Yala FC, postoi një mesazh prekës në llogarinë e saj zyrtare në Facebook, duke shprehur ngushëllimet më të thella familjes së Awae-s. Përveç kësaj, siç thuhet në deklaratën e klubit, drejtori i ekipit së bashku me një delegacion nxituan në shtëpinë e futbollistit për të inkurajuar familjen e 24-vjeçarit.

“Bordi i drejtorëve, stafi i trajnerëve, lojtarët dhe të gjithë anëtarët e ekipit menaxhues të Yala FC dëshirojnë të shprehin ngushëllimet e tyre më të thella familjes së Safwan Awae (Ing)”, thuhet aty.

Për më tepër, Shoqata e Futbollit e Tajlandës (FAT) lëshoi ​​një deklaratë zyrtare në lidhje me tragjedinë. “Federata ndan pikëllimin e familjes, miqve dhe klubit në këtë kohë të vështirë.”

Awae sapo kishte nënshkruar një kontratë me Yala FC më 29 korrik. Anësori i talentuar konsiderohej gjerësisht si një lojtar kyç, pasi më parë kishte shënuar shtatë gola në 18 ndeshje, duke ndihmuar ish-klubin e tij, Pattani FC, të ngjitej në Ligën 2 Thai për sezonin 2025-2026.