BOTA, 4 August 2026, 23:00

Skandal në aviacion/ Piloti kapet me mbi 70 mijë tableta ekstazi, analizat zbulojnë kokainë dhe metamfetaminë. Dyshohet se fluturoi nën efektin e drogës

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në Aeroportin Ndërkombëtar Soekarno-Hatta në Xhakartë të Indonezisë, ku një pilot është arrestuar pasi në bagazhin e tij u gjetën më shumë se 70 mijë tableta ekstazi (MDMA).

Sipas autoriteteve, analizat e kryera ndaj tij rezultuan pozitive edhe për kokainë dhe metamfetaminë, duke ngritur dyshime se piloti mund të kishte drejtuar avionin nën efektin e lëndëve narkotike.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara të hënën, tregojnë momentin kur piloti, shtetas malajzian, kalon kontrollin në aeroport. Gjatë inspektimit të bagazhit, punonjësit zbuluan një qese me tableta ekstazi.

Sipas raportimeve, ai kishte me vete edhe një shishe me urinë, me të cilën dyshohet se synonte të manipulonte testin e drogës dhe të shmangte zbulimin e substancave narkotike.

Piloti 39-vjeçar, i identifikuar vetëm me inicialet MS, u arrestua menjëherë pasi kishte përfunduar një fluturim pasagjerësh nga Kuala Lumpur drejt Xhakartës, në mbrëmjen e 29 korrikut.

Edhe pse autoritetet nuk kanë bërë publik emrin e kompanisë ajrore ku ai ishte i punësuar, numri i fluturimit tregon se bëhej fjalë për një avion të Malaysia Airlines.

Gjatë kontrollit, zyrtarët doganorë gjetën 14 pako me tableta ekstazi në valixhen e pilotit, si dhe katër gramë metamfetaminë në bagazhin e dorës.

Sipas hetimeve paraprake, piloti kishte pranuar të transportonte lëndët narkotike pas kërkesës së një personi të paidentifikuar, kundrejt një pagese prej 12 240 dollarësh.

Autoritetet bënë të ditur gjithashtu se analizat e urinës rezultuan pozitive për metamfetaminë, MDMA dhe kokainë.

“Fakti që ky person ushtron profesionin e pilotit është jashtëzakonisht shqetësues. Në momentin kur mbërriti, sapo kishte pilotuar një avion nga Kuala Lumpur drejt Indonezisë”, deklaroi një prej zyrtarëve që po hetojnë çështjen.

Nga ana e saj, Malaysia Airlines nuk ka komentuar drejtpërdrejt rastin, por përmes një deklarate theksoi se kompania nuk toleron asnjë formë shkeljeje dhe se ka nisur një hetim të brendshëm.

Kompania bëri të ditur gjithashtu se do të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet përgjegjëse gjatë zhvillimit të hetimeve.