TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka nënshkruar marrëveshjen me artistët për Teatrin Kombëtar. Në këtë marrëveshje PD angazhohet që sapo të jetë mazhorancë, do të anullojë ligjin që parashikon prishjen e Teatrit Kombëtar.
Gjithashtu PD merr përsipër që Teatrin Kombëtar ta shpallë Monument Kulture, duke ndaluar përgjithmonë prishjen e tij dhe mund ti hapet rrugë vetëm restaurimit.
Marrëveshja mes PD-së dhe artistëve është lexuar nga Kastriot Çipi, i cili tha se kjo forcë politike e ka mbështetur që në fillim kauzën për Teatrin Kombëtar.
Marrëveshja është nënshkruar brenda ambjenteve të Teatrit Kombëtar.
DEKLARATË [KONTRATË]
PËR NDËRMARRJEN E NJË ZOTIMI TË PËRBASHKËT PUBLIK
Në Tiranë, sot më 25 Korrik 2019,
Ne, qytetarët dhe artistët e angazhuar për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar,
dhe Partia Demokratike e Shqipërisë,
1.1. Duke e konsideruar ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental, si dhe zonën përreth tij, si pjesë të patjetërsueshme të Qendrës Historike të Tiranës, si dhe me vlera të padiskutueshme historike dhe pjesë të trashëgimisë kulturore;
1.2. Duke qenë krenarë dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe me përgjegjësinë për të ruajtur trashëgiminë tonë historike e kulturore dhe mbrojtur e forcuar vlerat shpirtërore të vendit;
1.3. Duke i vlerësuar si antikombëtare dhe të paligjshme përpjekjet për shkatërrimin e ndërtesës historike të Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental;
1.4. Duke mbajtur në konsideratë se rendi kushtetues, identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare, janë bazat e shtetit shqiptar, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë;
1.5. Duke vlerësuar nevojën urgjente që ka arti dhe kultura për më shumë mbështetje financiare nga Buxheti i Shtetit, ndërtimin e ambienteve të reja në funksion të artit dhe kulturës, si dhe nevojën që ekziston për ruajtjen dhe restaurimin e plotë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar;
1.6. Duke qenë të ndërgjegjshëm se pronat publike janë pasuri e të gjithë qytetarëve, dhe se nuk mund të tjetërsohen, duke cenuar interesin publik, për qëllime fitimi nga biznesi privat;
1.7. Duke e konsideruar miratimin e një ligji të posaçëm për të rregulluar procedurën për realizimin e një projekti publik-privat, konkret dhe individualisht të përcaktuar, si një precedent të rrezikshëm për interesin publik dhe që rrezikon thelbësisht barazinë përpara ligjit dhe lirinë ekonomike;
1.8. Duke mbajtur në konsideratë se mbrojtja e interesit publik dhe e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit, si dhe duke qenë të ndërgjegjshëm se aktualisht jemi në një moment ballafaqimi historik, mes demokracisë shqiptare të rrezikuar dhe totalitarizmit të shfaqur;
1.9. Me vendosmërinë për të kontribuar në ndërtimin e një shteti të së drejtës, dhe një shoqërie demokratike që garanton liritë dhe të drejtat e njeriut, në një sistem politik demokratik që garanton llogaridhënien dhe kufizimin e pushtetit;
DEKLAROJMË
ME PËRGJEGJËSI TË PLOTË PUBLIKE
NDËRMARRJEN E KËTIJ ZOTIMI:
Lidhur me Teatrin Kombëtar:
Brenda 1 viti nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë do të jetë shumicë parlamentare, në konsultim me komunitetin e artistëve, do të nisë një proces të hapur dhe gjithëpërfshirës, për reformimin e sektorit të artit dhe kulturës në vend që synon:
PËR KËTË QËLLIM:
Palët nënshkruese janë mirëkuptuar për të punuar së bashku dhe të ftojnë të gjithë qytetarët për të kontribuar në përmbushjen e objektivave të përfshira në këtë zotim publik.
Palët nënshkruese angazhohen të informojnë dhe konsultohen me njëra-tjetrën, për mënyrën e përmbushjes në kohë të angazhimeve të përmendura në këtë Deklaratë. Organizatat përfaqësuese të aktorëve, grupet e interesit dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile, gëzojnë të drejtën të kërkojnë në çdo kohë informacion të plotë, si dhe përmbushjen e këtyre angazhimeve, duke ndjekur çdo mekanizëm dhe duke ndërmarrë çdo veprim që e vlerësojnë të nevojshëm për të garantuar realizimin e tyre.
Një kopje e nënshkruar e kësaj Deklarate [Kontrate] bëhet publike në faqet zyrtare të internetit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, si dhe i bëhet me dije opinionit publik, në format dhe mënyrat më të përshtatshme.
Publikimi i kësaj Deklarate konsiderohet edhe informim me mjete të përshtatshme, i çdo subjekti privat që parashikon të përfshihet në veprime aktive apo të bashkëpunojë në shkatërrimin e ndërtesave dhe zonës përreth Teatrit Kombëtar, duke përfituar pasuri publike, nëpërmjet tjetërsimit të paligjshëm të tyre, sipas arsyetimit kushtetues e ligjor të shprehur në Dekretin e Presidentit të Republikës për kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 37/2018 në Kuvendin e Shqipërisë. Çdo veprim i kryer nga tani e në vijim do të konsiderohet ligjërisht si i kryer në keqbesim.
Me garancinë për përmbushjen e plotë të saj, të shprehur nëpërmjet përmbajtjes dhe nënshkrimit publik të kësaj Deklarate:
PALËT E PËRFSHIRA NË KËTË ZOTIM PUBLIK:
Për Partinë Demokratike të Shqipërisë:
Kryetari
Lulzim BASHA
***
Dje, në komunikim të vazhdueshëm me aktorë dhe regjisorë, pjesë të Aleancës për Teatrin, Basha premtoi nënshkrimin e një marrëveshjeje gjatë ditës së sotme me artistët në orën 11:30.
“Ne do të jemi në mbështetje të Aleancës për Teatrin. Kemi qenë në bashkëbisedim të vazhdueshëm, jo vetëm për çështjen e Teatrit, por në tërësi për çështjet e artit dhe të kulturës dhe çështjen e krizës së demokracisë në Shqipëri. Për Partinë Demokratike dhe qytetarët është privilegj që të kemi akses në thesarin e ideve dhe mendimeve të artistëve. Ky duhet të jetë edhe një paralajmërim për atë që do të vijë. Ne do ta shporrim këtë shpurë kriminelësh që do të shkatërrojë edhe Teatrin, me të gjithë historinë dhe vlerat që mbart për t’ua bërë dhuratë trafikantëve të drogës që të pastrojnë paratë dhe t’ia bëjnë dhuratë Edi Ramës. Përgatitja e marrëveshjes me artistët ka nisur para 1 muaji dhe nuk ka lidhje drejtpërdrejt me ngjarjen e ndodhur sot. Nesër (sot) do të nënshkruajmë marrëveshjen dhe ajo do të botohet me të gjitha pikat që përmban”, sqaroi kreu i PD-së.