AKTUALITET, 25 Korrik 2019, 11:37

Teatri/ Rama i përgjigjet ‘minorancës’ me citimin e Rajmonda Bulkut

Teatri/ Rama i përgjigjet ‘minorancës’ me citimin e


Kryeministri Edi Rama ka vërshuar me statuse në rrjetet sociale kundër artistëve që protestojnë për Teatrin Kombëtar. Në fillim ai postoi një shprehje të Paulo Coelhos, e tani sjell në vemendje një citim të aktores Rajmonda Bulku, të një viti më parë, kur nisi debati për shembjen e Teatrit.

“Minoranca e zhurmshme dhe e verbër teatralo -politike, nuk përfaqëson asfare opinionin e shumicës së komunitetit të artistëve të skenës, për projektin e Teatrit Kombëtar!”, shprehet Rama në facebook.

Më tej shkruan:

“Ja çfarë mendon një aktore e njohur e skenës kombëtare, e cila jo vetëm s’ka asnjë lidhje me këtë shumicë qeverisëse, po ka qenë aktive si qytetare qysh në kohën e ndryshimeve historike dhe më pas edhe si deputete, në radhët e Partisë Demokratike.

RAIMONDA BULKU: Aty duhet të ketë një teatër shumë të mirë, ç’më duhet mua se çfarë ndërtohet anës teatrit, apo mbi teatër. Në qiell le të ndërtohet, s’kam ndonjë gjë; unë dua të ndërtohet një teatër. Nuk ka rëndësi fare se çfarë. Godina e teatrit duhet shembur, pa dyshim. Ne po përjetojmë kushte mizerabël. Unë nuk e di se si punojmë aty, është turp të punosh aty. Tani që u gjet Turbina, shumë mirë, ajo sallë është për atë zonë, atë lagje dhe si ajo duhet të ndërtohet edhe një në Kombinat, edhe një në Laprakë, që padyshim është një lagje afër Tiranës. Unë do të dëshiroja që të ngrihet një Teatër i ri Kombëtar, me parametra të tjerë”.