AKTUALITET, 30 Mars 2018, 14:52

Takimi Kotzias-Bushati, 9 çështjet që u diskutuan. Çështja çame nuk u prek fare

Takimi Kotzias-Bushati, 9 çështjet që u diskutuan.

Gazeta Shqiptare ka mësuar për 9 çështjet që janë diskutuar në takimin Kotzias-Bushati , të enjten në Tiranë.

Për më shumë se 2 orë dy ministrat e Jashtëm kanë qëndruar në takim kokë më kokë, ndërsa me pas bashkë me delegacionet është konsumuar një drekë pune.

Kështu nga burime mësohet se të dy palët kanë rënë dakord që të arrijnë marrëveshje për 9 çështjet: çështjet e vulave apostille, çështja e varrezave greke, njohja e patentave, përcaktimi i kufijve detarë, heqja e ligjit të luftës, të drejtat e pakicave greke, ndryshimet në librat shkollorë, pakti i miqësisë dhe konfirmimi i përkufizimit të kufijve tokësorë.

Ndërsa mësohet se lidhur me vizitën e kryeministrit Aleksis Tsipras në Tiranë, mund të bëhet pas Pashkëve dhe nëse është e mundur, para verës.

Po ashtu diplomati grek i ka bërë të qartë homologut të tij shqiptar se çështjen çame është vija e kuqe për të cilën Athina as nuk ulet në bisedime, jo më të diskutojë.