AKTUALITET, 4 October 2026, 11:33

Tabaku: Çmimet nuk ulen me “polic digjital”, por duke ndryshuar politikat e qeverisë

Tabaku: Çmimet nuk ulen me “polic digjital”, por duke

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar nismën e qeverisë për “pasqyrën digjitale” të çmimeve, duke argumentuar se ajo nuk adreson shkaqet e kostos së lartë të jetesës.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku ngre pyetjen nëse shqiptarët paguajnë më shtrenjtë për shkak të mungesës së informacionit mbi çmimet apo për shkak të politikave të gabuara të qeverisë.

“A janë sot çmimet e larta në Shqipëri sepse mungonte një polic digjital te dera e biznesit?”, shprehet ajo.

Sipas Tabakut, barra fiskale është një nga faktorët kryesorë që rëndon mbi konsumatorët. Ajo deklaron se taksat përbëjnë 60% të çmimit të karburantit, ndërsa produktet bazë ushqimore, si orizi, sheqeri dhe mielli, ngarkohen me 20% TVSH. Për bujqësinë, deputetja evidenton taksat dhe mungesën e subvencioneve si pengesa që rëndojnë mbi fermerët.

Tabaku argumenton se ulja e çmimeve kërkon politika ekonomike që lehtësojnë barrën fiskale, çlirojnë tregjet nga monopolet dhe nxisin konkurrencën. Sipas saj, qeveria ka zgjedhur të mbështesë koncesionarët dhe projektet e kushtueshme në vend të familjeve, fermerëve dhe sektorëve prodhues.

“Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të ndihmojë fermerin, por ndihmon KAYO-n. Nuk ka ndërmend të ndihmojë familjet shqiptare të përballojnë çmimet e rritura, por ndihmon koncesionarët”, deklaron Tabaku.

Në përfundim, deputetja e PD-së kërkon ndryshimin e qeverisë dhe të sistemit, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si “qeveri të pakicës”, që u shërben interesave të ngushta në vend të nevojave të qytetarëve.

Reagimi

A janë sot çmimet e larta në Shqipëri sepse mungonte një polic digjital te dera e biznesit?! A kanë nevojë pensionistët, qytetarët, fermerët dhe studentët të shohin sa janë çmimet te dera e biznesit?

Përgjigjja për çmimet e larta është qeveria. Gabimet e qeverisë dhe politikat e gabuara janë arsyeja kryesore pse sot secili prej jush paguan çmime më të larta.

Te karburanti, fjala vjen, 60% e çmimit janë taksa. Te çmimi i ushqimeve — orizi, sheqeri, mielli — TVSH-ja është 20%, më e larta në rajon dhe ndër më të lartat edhe krahasuar me vendet e Bashkimit Europian. Këto e rrisin çmimin.

Te fermeri rëndojnë taksat që janë vendosur mbi fshatin, por njëkohësisht edhe mungesa e subvencioneve.

Qeveria nuk e ka hallin të bëjë politika për ekonominë, të bëjë politika që ulin çmimet, të çlirojë tregjet nga monopolet dhe të lejojë konkurrencën. Qeveria shqiptare ka vetëm një hall: korrupsionin!

Qeveria shqiptare nuk ka ndërmend të ndihmojë fermerin, por ndihmon KAYO-n. Nuk ka ndërmend të ndihmojë familjet shqiptare të përballojnë çmimet e rritura, por ndihmon koncesionarët.

Qeveria shqiptare nuk investon dhe nuk jep para që sektori i fasonëve dhe bujqësia të vazhdojnë të zhvillohen, por mbështet ato rrugët e florinjta: një miliard euro, ndërsa gjysma e tyre sot janë në hetim.

Këto janë hallet e qeverisë shqiptare, jo ato të qytetarëve.

Për këtë arsye duhet ndryshuar ky sistem, duhet ndryshuar kjo qeveri, që çdo ditë e më shumë po tregon se është qeveri e pakicës.