AKTUALITET, 14 Shtator 2019, 20:51

Surprizë e madhe në Premierligë, debutuesit mposhtin kampionët

Surprizë e madhe në Premierligë, debutuesit mposhtin

E ngjitur rishtazi në Premier League këtë sezon, Norwich bëri befasinë sot, pasi ndonëse luante me plot 8 mungesa, arriti të mposhtë me rezultatin 3-2 kampionët në fuqi të Anglisë, Manchester Cityn.

Vendasit befasuan skuadrën e Guardiolës që në minutën e 18’, kur kaluan në avantazh me anë të McLean, ndërsa 10 minuta më vonë ishte Cantwell që dyfishoi shifrat, duke tronditur “qytetarët”.

Sergio Aguero rihapi takimin, duke shënuar në minutën e 45-të për City-n, por një nga sulmuesit më në formë të momentin, finlandezi Pukki shënoi edhe golin e tretë për Norwich, menjëherë sapo filloi pjesa e dytë.

Gjithçka u komplikua për skuadrën e Pep Guardiolës dhe as zëvendësimet e këtij të fundit nuk arritën të sjellin rezultat, ndërsa Norwich mbrohej në mënyrë fantastike dhe portieri Tim Krul bëri disa herë heroin.

Në minutën e 88’ ishte spanjolli Rodri, i ardhur nga Atletico e Madridit, që shënoi golin e dytë për Cityn, por që në fund shërbeu vetëm për të bërë më emocionuese pjesën e mbetur të takimit, pasi vërshëllima finale la në fuqi fitoren e Norwich, me rezultatin 3-2.

Kjo ishte “rrëshqitja” e dytë e Manchester Cityt në 5 javët e para të kampionatit, ku ka arritur të grumbullojë vetëm 10 pikë dhe e shikon veten plot 5 pikë pas Liverpoolit, që është treguar i pagabueshëm, duke fituar të gjithë ndeshjet e tij.