AKTUALITET, 14 Shtator 2019, 19:28

Abraham bën liderin te Chelsea, United “i falet” Rashford për fitoren

Abraham bën liderin te Chelsea, United “i falet” Rashford

Chelsea u beson të rinjve dhe arrin të rikthehet te fitorja, duke triumfuar me rezultatin bindës 2-5 në transfertën e vështirë ndaj Wolvesit.

Tamy Abraham ishte sërish protagonist për londinezët, pasi arriti të shënojë një tripletë në sfidën e sotme, duke shkuar në kuotën e 7 realizimeve, në 5 javët e para.

Dy golat e tjerë për skuadrën e Lampard u shënuan nga mbrojtësi Fikayo Tomori dhe mesfushori Mount, ndërsa Wolves u kundërpërgjigj me një gol nga Cutrone dhe një autogol të Abraham.

Fitore të thellë mori edhe skuadra tjetër londineze, Tottenhami, që mposhti 4-0 Crystal Palace, në një takim ku gjithçka u vendos në pjesën e parë. Son Hueng Min shënoi dy gola, ndërsa dy të tjerët u shënuan nga Lamesa dhe autogoli i Van Arnholt.

Mjaftoi një gol i Marcus Rashford në minutën e 8’ me 11-metërsh, riktheu pas 3 ndeshjesh te fitorja edhe Manchester United, që mposhti me rezultatin minimal 1-0 Leicesterin në “Old Trafford”.

Në sfidat e tjera Southamptoni triumfoi 0-1 në transfertën ndaj Sheffield United, ndërsa Brighton dhe Burnley ndanë nga një pikë në barazimin 1-1.