TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Në 31-vjetorin e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës, djali i tij, Ardian Hoxha, ka dalë me një deklaratë të fortë publike, duke akuzuar ish-presidentin Sali Berisha për përgjegjësi politike në ngjarjen e vitit 1995, ndërsa kritikon kryeministrin Edi Rama për mungesën e veprimeve konkrete për gjetjen e eshtrave të babait të tij.
Në deklaratën e shpërndarë nga Prishtina, në emër të familjes Hoxha, ai kujton se më 21 tetor 1995, Remzi Hoxha u rrëmbye nga vendi i punës në Tiranë nga persona të lidhur me Shërbimin Informativ Kombëtar (SHIK), ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende.
Sipas Ardian Hoxhës, familja ka 31 vite që kërkon vetëm një përgjigje nga shteti shqiptar: vendndodhjen e eshtrave të babait.
“Më 21 tetor 1995, babai im, Remzi Hoxha, u rrëmbye nga vendi i tij i punës në mes të Tiranës, në pikë të ditës, nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. U torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk. Këtë e ka thënë gjykata shqiptare me vendim të prerë. Pra shteti e di kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau. Vetëm një gjë nuk na e thotë prej 31 vitesh: ku e kanë lënë”, shprehet ai.
Djali i Remzi Hoxhës përdor akuza të ashpra ndaj Sali Berishës, të cilin familja e konsideron përgjegjës për atë që i ndodhi të afërmit të tyre. Megjithatë, kritikat e tij nuk kufizohen vetëm te ish-presidenti, por shtrihen edhe ndaj qeverisë aktuale.
Ai pretendon se, pavarësisht dosjeve dhe informacioneve të dorëzuara ndër vite, qeveria e Edi Ramës nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për zbardhjen e vendndodhjes së trupit.
“Edi Rama e udhëheq Shqipërinë prej 13 vitesh, i kemi dërguar dosje dhe emra, dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje që të gjenden eshtrat e babait tim. Kur ke në dorë gjithë shtetin dhe nuk do ta zgjidhësh një rast që e ka vërtetuar vetë gjykata jote, nuk je më dëshmitar i krimit. Bëhesh pjesë e tij”, deklaron Hoxha.
Në reagimin e tij, Ardian Hoxha thekson se familja nuk kërkon hakmarrje dhe as përfitime politike, por vetëm mundësinë për të varrosur të afërmin e saj.
“Nuk kërkojmë as dënimin e askujt dhe as hak për gjakun e babait tim. Kërkojmë vetëm eshtrat e tij, që t’ia bëjmë një varr dhe të vazhdojmë jetën tonë. A mos vallë është shumë kjo që kërkojmë?”, shprehet ai.
Familja Hoxha i drejton një apel të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare, Kryeministrisë, Prokurorisë dhe SPAK-ut, duke kërkuar hapjen e arkivave të ish-SHIK-ut, rifillimin e kërkimeve për trupin e Remzi Hoxhës dhe marrjen në pyetje të personave që kanë qenë pjesë e strukturave të atëhershme të shërbimit sekret.
Një thirrje e veçantë u drejtohet edhe personave që mund të kenë dijeni për vendndodhjen e eshtrave, të cilëve familja u kërkon të flasin, qoftë edhe duke ruajtur anonimatin.
Në përfundim të deklaratës, Ardian Hoxha shpreh zhgënjimin ndaj shtetit shqiptar, por edhe mirënjohjen për qytetarët që e kanë mbështetur familjen gjatë këtyre tri dekadave.
“Kemi 31 vjet që jemi djemtë dhe vajzat e një njeriu të zhdukur. Dua të jemi më në fund djemtë dhe vajzat e një njeriu të varrosur. Shqipëri, uroj të mos na shohësh si bij njerke, por si bijtë e Shqipërisë mëmë”, përfundon deklarata e Ardian Hoxhës.
Reagimi i Ardian Hoxhës:
31 vjet pa varr të babait tim, Remzi Hoxha
Shqipëri, e ndiejmë dhembjen tënde, sepse e kemi përjetuar vetë. Shqiptarët kanë vuajtur me dekada dhe shumë nga ata që janë burgosur, torturuar, vrarë e zhdukur, i kanë zhdukur pikërisht udhëheqësit e tyre politikë. Shqipëria, mëmëdheu i të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë, i ka vrarë me qindra, në mos me mijëra, bijtë e saj më të mirë. Familja jonë është njëra nga ato familje dhe sot bëhen 31 vjet.
Më 21 tetor 1995, babai im, Remzi Hoxha, u rrëmbye nga vendi i tij i punës në mes të Tiranës, në pikë të ditës, nga njerëzit e SHIK-ut të Sali Berishës. U torturua, u vra dhe trupi i tij u zhduk. Këtë e ka thënë gjykata shqiptare me vendim të prerë. Pra shteti e di kush e mori, kush e torturoi dhe kush e vrau. Vetëm një gjë nuk na e thotë prej 31 vitesh: ku e kanë lënë.
Babai im sakrifikoi gjithçka për çështjen shqiptare, jetën e tij, familjen e tij dhe pasurinë e tij, që shqiptarët kudo që janë të jetojnë të lirë. Zhdukjen e tij e prisnim nga serbët, mirëpo jo nga vëllezërit shqiptarë dhe jo nga shteti amë. Për familjen tonë Sali Berisha është antishqiptari dhe krimineli më i madh që ka njohur historia shqiptare. Mirëpo nuk është vetëm ai. Edi Rama e udhëheq Shqipërinë prej 13 vitesh, i kemi dërguar dosje dhe emra, dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje që të gjenden eshtrat e babait tim. Kur ke në dorë gjithë shtetin dhe nuk do ta zgjidhësh një rast që e ka vërtetuar vetë gjykata jote, nuk je më dëshmitar i krimit. Bëhesh pjesë e tij.
Neve nuk na intereson politika e Shqipërisë, as e majta, as e djathta. Nuk kërkojmë as dënimin e askujt dhe as hak për gjakun e babait tim. Kërkojmë vetëm eshtrat e tij, që t’ia bëjmë një varr dhe të vazhdojmë jetën tonë. A mos vallë është shumë kjo që kërkojmë? Edhe serbët, që i kanë vrarë shqiptarët çdo ditë, trupin ua kthenin familjeve. Shqipëria jonë, 31 vjet, nuk e bën dot as këtë.
Andaj i drejtohem Qeverisë së Shqipërisë, Kryeministrit, Prokurorisë e SPAK-ut: hapni arkivat e ish-SHIK-ut, rihapni kërkimin për trupin e babait tim me njerëz të caktuar dhe me afat, pyesni çdo person që ishte pjesë e atyre strukturave dhe jepuni garanci atyre që duan të flasin. Dhe i drejtohem edhe atyre që nuk janë shtet, por që dinë. Ju mund të jeni të moshuar sot dhe mund ta keni mbajtur këtë barrë gjithë jetën. Nuk ju kërkojmë emrin. Na tregoni vetëm ku është.
Në këto 31 vjet nuk kemi qenë vetëm. Faleminderit çdo njeriu që e ka ndjerë dhembjen tonë bashkë me ne, në çdo protestë, në çdo intervistë, me çdo fjalë që na ka shkruar. Ndoshta juve ju është dukur pak. Për ne nuk ka qenë pak. Ju jeni Shqipëria që babai im e donte. Dhe pikërisht ju e meritoni udhëheqës që i vënë në vend të parë qytetarët e tyre dhe jo veten, që e bëjnë ligjin të njëjtë për të gjithë, dhe që punojnë për një të ardhme më të mirë për këtë brez dhe për brezin që vjen. Një shtet që 31 vjet nuk ia kthen dot një familjeje eshtrat e babait, nuk mund t’u premtojë fëmijëve të tij asgjë.
Kjo nuk është çështje partie, as feje, as e Kosovës apo e Shqipërisë. Kjo është çështje e çdo shqiptari që ka pasur një baba.
Kemi 31 vjet që jemi djemtë dhe vajzat e një njeriu të zhdukur. Dua të jemi më në fund djemtë dhe vajzat e një njeriu të varrosur. Shqipëri, uroj të mos na shohësh si bij njerke, por si bijtë e Shqipërisë mëmë.
Ardian R. Hoxha
Djali i Remzi Hoxhës
Në emër të familjes Hoxha