AKTUALITET, 6 Shkurt 2018, 11:16

Fermerët e Divjakës: Na mashtroi Rama, Basha: Ejani bllokojmë Kryeministrinë

Kryetari i PD, Lulzim Basha, inkurajoi fermerët të protestojnë para Kryeministrisë kundër braktisjes nga qeveria. Gjatë takimit në Divjakë, fermerët u shprehën të revoltuar nga mbetja pa shitur e prodhimeve të tyre.

Ata thanë se janë mashtruar në fushatë nga kryeministri Rama.

“Nuk marrim asnjë subvencion as në naftë, as në fara, as në plehra kimike” u shprehën fermerët e Divjakës, të cilët thanë se po konkurohen padrejtësisht nga prodhimet e importit.

Ata i thanë kryetarit Basha se do t’i hedhin në lumë prodhimet e tyre, por kreu i opozitës i nxiti që, në vend të çojnë dëm djersën, të vijnë në Tiranë, të bllokojnë Kryeministrinë.

“Duhet të hedhim Ramën në kanal, jo djersën tuaj” u tha Basha fermerëve.

Kryetari i PD shprehu bindjen se një qeveri që është vënë në shërbim të një grushti njerëzish të korruptuar dhe të lidhur me krimin, nuk do t’u shërbejë qytetarëve.

Basha tha se me programin e PD për mbështetjen me 150 milionë dollarë në vit, fermerët do t’ia dalin të konkurojnë me importin, të shesin prodhimet në treg dhe të rimëkëmben ekonomikisht.